Qeveria e Damaskut është duke realizuar një luftë shfarrosëse kundër popullit të saj, deklaroi emiri i Katarit ditën e martë, vetëm disa orë pasi skadoi një armëpushim 4-ditor në Siri.
Armëpushimi, i shpallur me rastin e festimeve të Kurban Bajramit, nuk u respektua pothuajse asnjëherë dhe disa qindra persona humbën jetën gjatë këtyre ditëve në vendin e përfshirë nga lufta civile që prej marsit të vitit 2011.
”Ajo që po ndodh në Siri nuk është një luftë, por genocid, një luftë shfarrosëse, një licensë vrasje që komuniteti ndërkombëtar, duke mos reaguar, i ka dhënë regimit mizor në vend”, deklaroi sheiku Hamad bin Jassem al-Thani, drejtuesi më i lartë i Katarit, në një deklaratë të ashpër në rrjetin “Al Jazeira”.
”Kur qeveria e Sirisë shpalli armëpushimin, gjithashtu lajmëroi se do t’i përgjigjej gjithçkaje që do të ndodhte në terren, prandaj ishte e qartë nga kjo pikëpamje se nuk do të kishte asnjë armëpushim”, shtoi sheiku Hamad.
Sipas tij, ndërgjegja e vendeve arabe dhe ajo ndërkombëtare ka arritur një nivel të ri për shkak të krizës në Siri dhe shprehu bindjen se pavarësisht kundërshtisë ruse dhe kineze, komuniteti ndërkombëtar të arrijë të gjejë një zgjidhje pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Aktualisht, mbi 32 mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin sirian, shumica e tyre civilë, ndërsa 1,5-2 milionë persona janë të shpërngulurit si pasojë e luftimeve, me disa qindra mijëra që janë larguar në vendet fqinje.
Top Channel