Kryeministri shpërndan pavarësinë

30/10/2012 00:00

ALEKSANDËR ÇIPA – Historiani i ri, Sali Berisha, ka më shumë punë se
Kryeministri me të njëjtin emër. Ka kohë që sipërmarrjen e re e ka bërë
qëllim në vetvete në vitin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së
shtetit shqiptar.

E nisi me pretendimin për rishkrimin e historisë. Një kërkesë kjo dialektike në logjikën e parë. Por në qëllim të fundit, shton edhe më shumë hamendësimet dhe prish raportet e distancës natyrale që duhet të mbajë politika e aq më tepër një politikbërës autoritar si zoti Berisha, ndaj historisë kombëtare në çastet e kremtimit për moshë njëshekullore të shtetit. Mirëpo kjo përvojë shqiptare është një shkollë e vjetër me shembuj të ngjashëm.

Sidoqoftë, nisma e tij ka thyer disa tabu gjykuese, por ka shkaktuar një rindarje politike mes interpretuesve të periudhës njëshekullore të historisë së Shqipërisë. Në këtë debat të iniciuar nga politika, ose më saktë prej vetë Kryeministrit kryetar partie, më së shumti janë përfshirë simpatizançe interpretuesit, jo historianët që kanë punë vetëm me laboratorët arkivalë dhe studimorë dhe që nuk e shohin të udhës të heqin dorë prej skrupujve shkencorë të vlerësimit dhe kronologjizimit, prej faktologjisë së dokumentuar dhe të vërtetave të provuara historike. Nuk kemi qoftë edhe një botim të vetëm deri në këto çaste të një historiani që shfrytëzon enkas për këtë periudhë të gjatë historike, studimet analitike, dokumentet dhe periodizimet historike të historiografisë ballkanike për rrethanat dhe kushtet, protagonizmin dhe diplomacinë e pavarësimit të Shqipërisë shtetërore në vitin 1912. Sikundër edhe një qasje krahasimtare mes dokumenteve të botuar, atyre të censuruar dhe atyre të sapogjetur për këtë moment historik. Gjithçka është përqendruar sipas orientimit të historianit Berisha me një kalim të vogël te 28 Nëntori i Ismail Qemalit, pastaj te Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë e për të mbërritur vetvetiu te koha që gati është ta quajë “epokë” e tranzicionit, fund e majë vetëm e tillë.(!)

Është rishfaqur aktive sërish, me të njëjtën cilësi përdorimi dhe nënshtrimi, historiografia politike e orientuar. Një shërbestari vrastare e munguar dekadat e fundit pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, po rikthehet duke i shkaktuar mallkim besueshmërisë së interpretimeve që pritet të vijnë në dy muajt e fundit në botimet historike të Shqipërisë së sotme. Një fushatë e orientuar “nga filli i qeverisësit”, sikundër edhe një platformë kremtimesh zyrtare e ideuar, shkruar dhe e komanduar prej tij. Gjithë regjia është në dorë të historianit Kryeministër. Këtë autoritet të vetëmarrë, askush nuk e kundërshton. Nuk ka oponencë ndaj tij dhe ndaj variantit të asaj që do të ndodhë zyrtarisht në javën kalendarike të kremtimeve të javës së fundit të këtij nëntori. Gjithë pretendimet e përkundërta me opsionet e tij i cilëson hoxhiste, duke i shtuar edhe më tepër ngjyresën ndarëse dhe ideologjizuese oponencës për këtë dizekuilibër kremtues mes vendit që ka atributin e skenës ku ndodhi ngjarja historike, pra Vlorës dhe pretendimit të tij për të krijuar një pikë të re epiqendre, sikundër e tha dje, për Tiranën. Në këtë protagonizëm të Kryeministrit-historian, gjithkush ka dalë prej pozicionit, përkatësisë dhe realizmit të vet. Madje këtij diskutimi, i cili në thelb është shprehje e besnikërisë që gjithkush ka ndaj të vërtetës historike, po reagon indirekt edhe aleati i tij i këtij mandati dhe sipas gjasave edhe më tej, zoti Meta dhe subjekti i vet partiak. Jo vetëm memec për të shprehur opsionin vetjak për regjinë e këtij kremtimi që gjithsesi është edhe politik, por me padëgjueshmëri edhe ndaj një mesazhi të vetëkërkuar për konventën e partisë nga shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, sipas të cilit: “Në këtë përvjetor të ngritjes së flamurit në Vlorë i bëhen lavde Ahmet Zogut, sikur ai ka ngritur flamurin dhe Ismail Qemali ishte një vjedhës emrash”.

Historiani i ri, Kryeministër dhe kryetar partie, po lihet në gëzimin e regjisë së vet për 100-vjetorin. I papengueshëm, jo me tubime e protesta, por i papengueshëm me alternativë. Kryebashkiakun e Vlorës ka kohë që e dëshmon si të kapur nga mustaqet dhe fuqia e tij përfaqësuese. Një këngë mjellmëse ankimtare ka mundur të mërmërisë, i rizgjedhuri Shpëtim Gjika  në këtë para 28 Nëntor. I qetë para njoftimit të historianit të ri për kremtimin e gjithëshpërndarë në kryeqendrat e atdheut, po mbetet edhe kryeopozitari. Një shpërndarje tinëzare, alibi për të sfumuar dhe vënë në nënshtrim inteligjencën e adhuruesve të pavarësisë së Vlorës. Një alibi që plotësohet, gjasme me investimin për shtatoren e Ismail Qemalit në Tiranë, ndërkohë që atë të Vlorës e pranon si dhuratë privatësh, në pamundësi për të pasur një buxhet modest nga shteti.! Kjo është ironi dhe një prepotencë qeverisësi. Dhe natyrisht kjo ka lidhje me atë droje që opozita e shfaq si kompleks, për t’i ikur konfliktit, të cilin historiani i ri, Kryeministër dhe politikan i vjetër di gjithmonë ta fitojë, qoftë edhe me kosto.

Në takimin me vetëm një fjalim qeverisësi, në grupin parlamentar të partisë, dje e tha prerë. Në datën 25 nëntor do festohet në Shkup, në 27 në Vlorë dhe 28 në Tiranë…..” “Vlora ka pjesën e luanit, kryeqendër mbetet Tirana”. Të intereson o mjeshtër! Jo vetëm kaq, por vini re ç’solli në vëmendje të historiografisë dje, para deputetëve njëngjyrësh: “Sot një historian më sjell deklaratën e Pavarësisë të firmosur në Durrës, ai e la këtë dokument aty që me qëllim që po t’i bënin prita, dokumenti të ruhej. Ai ishte maratonomaku i pavarësisë, themeluesi. …” Historianët nuk shkojnë më tek arkivat dhe tek institucionet, por faktet ia sjellin historianit të ri, për të qenë më e plotë dosja që ai ka hapur rishtazi.!

Sidoqoftë, historiani i ri Kryeministër është i pakthyeshëm në këtë sipërmarrje. Do t’ia dalë ta bëjë festën siç do ai dhe të tijtë.

Shqipëria e 2012-s do festojë, sepse e ka ndërgjegjen e gëzimit për një shtet 100-vjeçar. Por matanë kësaj feste Shqipëria institucionale vijon të mbesë në provën e të qenët e vogël dhe e pabërë, si fëmijë i rritur. Kjo meritë nuk është kurrë e Një-shit, sikundër e parashkuesve të tij, por e shumicës e asaj shumice që demokracinë e beson dhe e zhvlerëson tribalisht, sikundër e deformon dhe transformon dhe e pranon si uzurpim.

Ky kremtim pavarësie, është premisë dhe shkak për një koalicion festimi gjithëshqiptar, ku simbolika e lënë në Vlorë, nuk e zvogëlon kuptimin, por vlen për të legjitimuar besnikërinë e shqiptarëve ndaj historisë reale dhe protagonistëve realë të saj. Vlen për t’u përulur para Ismail Qemalit, si para themeluesit të padiskutueshëm të shtetit dhe jo për të spostuar në emër dhe interes të një kultizmi të ri politik, të qeverisësit të radhës. E në këtë optikë, kritika për heshtësinë opozitare të socialistëve që kryeson Edi Rama, vlen më së shumti për gjithë udhëheqësit partiakë dhe politikë të shqiptarëve në rajon. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një ndërhyrje në debatin apo diskutimin e brendshëm politik të Shqipërisë “londineze” siç parapëlqejnë ta cilësojnë jolondinezët shqiptarë, por ky është thelbi i një diskutimi që lidhet me historinë kombëtare, ndaj së cilës dhe për të cilën kemi detyrim dhe legjitimitet të gjithë shqiptarët kudo ku jemi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA