
Gjashtë oficerë policie në Kolumbi janë vrarë në një pritë, të atribuar
rebelëve të krahut të majtë, teksa po kryenin patrullime në jug-perëndim
të vendit.
Oficerët janë qëlluar për vdekje në provincën Sausa nga persona që dyshohen të jenë anëtarë të lëvizjes FARK, ka deklaruar policia lokale.
Vrasjet vijnë në një moment kur qeveria kolumbiane dhe FARK po bëhen gati për fazën e re të bisedimeve të paqes, që do të nisë javën e ardhshme në Kubë.
Bisedimet nisën më herët gjatë muajit në Norvegji, por ato nuk sollën armëpushimin e pritur.
Presidenti Juan Manuel Santos ka deklaruar se dëshiron që të shmangë gabimin e bisedimeve të viteve ’90, kur rebelëve iu dha kontrolli i një zone të gjerë të çmilitarizuar, mundësi të cilën ata e përdorën për t’u riorganizuar.
Përpjekjet e fundit të paqes, të parat në kontakt direkt në një dekadë, nisën zyrtarisht më 18 tetor në Oslo. Të dyja palët pritet të mbajnë takime përgatitore në Havana javën e ardhshme, me negociatat që pritet të nisin më 15 nëntor.
Bisedimet do të fokusohen në 5 çështje kyçe: fundi i konfliktit të armatosur, reforma për pronën, garancitë për ushtrimin e opozitës politike, trafikun e drogës dhe të drejtat e viktimave të konfliktit.
Numri i luftëtarëve të Forcave të Armatosura Revolucionare Kolumbiane llogaritet të jetë rreth 8 mijë, një rënie e konsiderueshme nga 16 mijë që ishin një dekadë më parë.
Top Channel