Industria fasonëve, e cila prodhon për eksport, me materiale gjysmë të gatshme, do të përfitojë nga heqja e Taksës mbi Vlerën e Shtuar mbi makineritë për këtë industri.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Sali Berisha gjatë një vizite në një prej kompanive fasone që ushtron aktivitetin në Kamëz ku janë të instaluara 16 biznese të tilla, të cilat punësojnë rreth 4200 persona.
Kryeministri Berisha premtoi lehtësi të tjera fiskale, pasi në këtë industri llogaritet se janë të punësuar në të gjithë vendin rreth 100 mijë persona.
“Erdha t’ju njoftoj se qeveria brenda dy javëve do të vendosë heqjen terësisht të TVSH-së për çdo makineri të industrisë së fasonëve. Qeverisë i duhen para, por qeverisë para së gjithash dhe mbi të gjitha më shumë se çdo gjë i duhet punësimi i qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka, punësimi, punësimi dhe mbi të gjitha punësimi’, deklaroi kryeministri Berisha.
Berisha tha se për shkak të reformave të kryera, si pjesë e programit ekonomik të qeverisë, Shqipëria megjithë vështirësitë që përballon, i rezistoi krizës së Eurozonës dhe nuk ra në reçesion.
Këtë krizë, kryeministri Berisha e sheh edhe si një mundësi reale për të përfituar prej saj, duke ftuar sipërmarrësit e vendeve të prekura nga kriza dhe mungesa e stabilitetit, për të investuar në Shqipëri.
“Në këtë alternativë një gjë ka të sigurtë, se kurrë ndonjeherë një investitor shqiptar apo i huaj, nuk ka dëgjuar nga ky kryeministër dhe nga kjo qeveri, nga kjo mazhorancë një premtim i cili nuk është mbajtur. Atë që kemi premtuar atë kemi shndërruar në realitet. Kemi premtuar uljen e sigurimeve shoqërore i përgjysmuam ato, kemi premtuar mbështetjen e eksporteve, krijuam fondin e konkurueshmërisë dhe përfitojnë eksportuesit, kemi premtuar heqjen e TVSH-së e hoqëm atë, premtuam heqjen e taksës për inportin e hoqëm atë”, tha Berisha.
Nga ana tjetër kryeministri shtoi se alternativa e taksës progresive apo premtimi për heqjen e taksës së biznesit të vogël, është alternativa e dështuar e kaosit dhe e mashtrimit, nëpërmjet të cilës, sipas tij, Edi Rama u premton shqiptarëve të shkuarën dhe jo të ardhmen.
“Tani i them këtij zotërie, me taksat e Kolekës dajës tënd, shkon prapa, prapa dhe vetëm prapa, sepse me taksën progresive nuk bën gjë tjetër veçse nxjerr nga arkivat familjare atë taksë që rrënoi në mënyrën më mizore Shqipërinë dhe shqiptarët. Zoti Rama edhe njëherë kur të paraqitesh tek bizneset e vogla shpjegoju nëse je hija e Ramës apo Rama i vërtetë, qe protestonte për ligjin me të cilin i hoqa të drejtën për të rritur taksat më shumë se 10% sepse u shndërrua në një abuzues të papërmbajtur të rritjes së taksave”, tha Berisha.
Top Channel