“Shqip”, Ti Shqipëri më jep nder…

29/10/2012 00:00

Edhe këtë të hënë emisioni Shqip në Top Channel iu përkushtua 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por këtë herë në një tjetër këndvështrim ndryshe; atë të fotografisë.

Të mërkurën, ish-kryeministri dhe historiani Aleksandër Meksi në një ceremoni ku merrnin pjesë figura të njohura të politikës dhe publicistikës shqiptare, promovoi Albumin Fotografik kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë.

Albumi që përfshin rreth 1030 foto është konceptuar pa shumë fjalë duke ia lënë publikut të interpretojë fotot, ndërsa fjalët janë për historianët. Pikërisht për të folur më shumë rreth këtij albumi, në panelin e Shqip ishte vetë autori, Aleksandër Meksi, Xhevair Lleshi nga shtëpia botuese UEGEN dhe Ardian Marashi, drejtor i Institutit të Studimeve Albanologjike.

Meksi tha se albumi ka marrë muaj të tërë kohë dhe është një botim në bashkëpunim të ngushtë me historianët, Institutin e Historisë, atë të Albanologjisë dhe historianëve dhe intelektualëve shqiptarë në Kosovë dhe Shkup.

Ndërsa për Xhevair Lleshn fotografitë janë një dëshmi e mirë e historisë sonë dhe me rastin e 100-vjetorit është një album profesionist. Lidhur me termin e përdorur “pavarësi kombëtare”, Ardian Marashi nga Instituti i Albanologjisë tha se pavarësia ishte kombëtare sepse kur u ngrit flamuri në Vlorë, u ngrit për të gjitha trojet shqiptare, pavarësisht ndarjeve politike që pasuan atë kohë dhe vitet e mëvonëshme të historisë sonë.

Vetë Meksi tha: “Pjesë e Kombit janë të dyja, si Shqipëria dhe Kosova, akti i parë ishte Vlora në 1912, akti i dytë ishte çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, akti i tretë ndoshta do të ndodhë më vonë”.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe botuesi Lleshi: “Nuk do të vonojë akti i tretë që do të jetë shumë afër në kohë. Mund të ndodhë në Europë, në Shkup, diku tjetër. Ne nuk e dimë. Ne ëndërrojmë ashtu si ata që shpallën pavarësinë kombëtare”.

Zoti Marashi shtoi: “Akti i parë ishte 1912, i dyti ishte 2008. Këto krijojnë unitetin e dëshiruar në kuptimin që çështja shqiptare shkon drejt zgjidhjes, nga një akt gjysmak të themi në 1912 dhe finalja në album është Newborn e dhënë në bardhezi, sheshi simbolik i së ardhmes”.

Albumi dokumenton në foto me shpjegimet “kur”, “ku” dhe “kush” shqiptarët dhe kombin, që nga periudha e Ilirisë, ajo romake, bizantine, perandoria osmane, rilindja kombëtare, pavarësia, Lufta e Dytë Botërore, diktatura komuniste, vitet e para të demokracisë, lufta e Kosovës, çlirimi i saj dhe pavarësia e 2008-ës.

Aleksandër Meksi thotë se albumi është munduar të përfshijë të gjitha periudhat, por me epiqendër pavarësinë e 1912-ës. Brenda secilës periudhë thotë ai, është munduar që të kapë fakte të rëndësishme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA