Për të tretën herë brenda shtatë vitesh, Gjykata Kushtetuese u mblodh në seancë dëgjimore për të marrë në shqyrtim kërkesën e Shoqatës së qeramarrësve të shtëpive shtetërore ish-pronë private, e cila kërkon shfuqizmin si anti-kushtetues të aktit normativ të gushtit 2012 të Këshillit të Ministrave.
Akti normativ objekt i gjykimit bën fjalë për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, aktualisht banues në këto objekte.
Gjatë seancës dëgjimore, avokatët e Shoqatës së qeramarrësve argumentuan se ky akt normativ i KM nuk është në kushtet e urgjencës, se ky akt cënon parimin e sigurisë juridike duke shkaktuar diskriminim.
Por në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ministri i Transporteve Sokol Olldashi argumentoi se ky akt normativ është miratuar në kushtet e urgjencës, pasi aktualisht sipas tij po shkelet një e drejtë tjetër themelore që garantohet në Kushtetutë, siç është e drejta e pronës.
Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të dhënë vendim në një datë të pacaktuar, qoftë për shfuqizimin e këtij akti normativ, qoftë edhe për pezullimin e përkohshëm të tij deri në vendimin përfundimtar.
Dy vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, njëri i vitit 2005 dhe tjetri i vitit 2007, u kanë dhënë të drejtë shoqatës së qeramarrësve.
Të pastrehët protestojnë para Gjykatës Kushtetuese
Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të qeverisë, që kërkon lirimin e shtepive të ish-pronarëve në datën 1 nëntor, dhjetëra familje kanë protestuar para këtij institucioni të drejtësisë. Në pamudnesi për të paguar këta të pastrehë janë orientuar drejt kredive të zbutura.
“Ai po më merr atë që kam dhe do më nxjerrë në rrugë. Unë nuk kam punë me pronarin por me shtetin, ku po më çon shteti mua? Nuk më japin kredi sepse më thonë se nuk e laj dot?”, është ankuar një pronar.
“Unë aplikova për kredi dhe nuk më dhanë. Shko në azil, më thanë. Unë 55 vjeç të shkoj në azil!”, thotë një grua.
Në të gjithë vendin numërohen mbi 3.000 familje që banojnë në shtëpi ish-pronarësh, ndërkohë që vetëm në Tiranë numërohen 1.300.
Top Channel