39-vjeçari tenton të vrasë një person, i sulmon makinën me hanxhar dhe më pas e godet fizikisht Era e fortë, reshjet e dendura të shiut dhe dallgët e mëdha kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytetin bregdetar të Durrësit. Përveç mungesës së energjisë elektrike në një pjesë të madhe të qytetit, probelemet më të rënda janë identifikuar në portin detar të këtij qyteti.
Një nga tragetet e ankoruara pranë terminalit të trageteve orët e para të ditës së dielë është shkëputur nga bankina si rezultat i këputjes së çimave duke rrezikuar përplasjen me mjetet e tjera lundruese.
Gjendja është stabilizuar vetëm pas përfshirjes së dy rimorkiatorëve në operacion. Era e fortë dhe dallgët e mëdha kanë bërë që të shtyhen edhe oraret e nisjes së trageteve nga porti i Durrësit në drejtim të Italisë. Mësohet se vonesat e nisjes së trageteve kanë shkuar deri në 7 orë pasi deti ka regjistruar forcën 6 ballë dhe era shpejtësinë 22 m/sek.
Gjendja më e rëndë duket në zonën e plazhit të Durrësit ku punonjës dhe pronarë lokalesh kanë nisur të merren me rregullimin e pistave, tendave të lokaleve si dhe të sistemeve elektrike të dëmutara.
Përmbytjet në Tiranë, Bashkia: Po zgjerojmë Lanën, ka ndërtime mbi kolektorë
Reshjet e shiut të ditës së shtunë kanë sjellë përmbytjen e shumë zonave në kryeqytet, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal të qytetarëve në disa zona. Drejtoresha e nderrmarrjes numër dy në Bashki, Luzhiana Abazi, është ndalur në Shkozë, ku dhjetëra banesa janë përmbytur një ditë më parë.
Zonja Abazi ka sqaruar se Bashkia po punon për zgjerimin e Lanës në këtë zonë, por edhe në shumë segmente të tjera, jo vetëm në këtë fazë emergjente, por edhe më pas: “Aktualisht po bëjmë zgjerimin e Lanës dhe që banorët të mos kenë për momentin shqetësime.”
Zonja Abazi tha gjendja problematike në shumë zona të kryeqyetit pas reshjeve të dendura të ditës së shtunë nuk ka ardhur si pasojë e mos pastrimit të pusetave apo kanalizimeve: “Fakti është që mbi kolektorë janë ndërtuar pallate 10-15 kate dhe ne nuk mund t’i prishim. Po punojmë me ndërmarrjen e ujësjellës-kanalizimeve për kolektorë të rinj. Përmbytja e Tiranës ka ndohur sepse kolektorët nuk thithin mirë për shkak të këtyre pallateve.”
Zgjerimi i segmentit të Lanës do të vijojë pasi sipas Bashkisë së Tiranës, kjo është pjesë e projekteve të miratura më parë nga Bashkia.
Top Channel