Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një sulm vetëvrasës gjatë meshës në një kishë katolike në veri të Nigerisë, raportuan burimet zyrtare.
Një automjet i lidhur me eksploziv, hyri brenda në kishë dhe shpërtheu ngarkesën duke shkaktuar një vrimë në mur dhe cati.
Sulmi ndodhi në Kaduna, qytet që është vënë nën shënjestrën e grupit militant islamik Boko Haram në të shkuarën.
Presidenti i vendit Goodluck Jonathan premtoi që do të dyfishonte përpjekjet e qeverisë për të luftuar terrorizmin dhe dhunën.
Agjensia nigeriane e menaxhimit të emergjencave tha për BBC-në se një grup të rinjsh kristianë sulmuan një automjet që erdhi menjëherë në ndihmë të të plagosurve pas sulmit, duke thyer njërën nga dritaret.
Burime të pakonfirmuara thanë se të paktën dy persona janë vrarë në disa sulme të ndërmarra nga kristianët pas shpërthimit.
Asnjë grup nuk ka marrë ende përsipër autorësinë e shpërthimit.
Top Channel