Selia e shenjtë e Vatikanit ka reaguar në lidhje me skandalin e pedofilisë ku është përfshirë ish-prezantuesi i BBC, Jimmy Savile.
Në një prononcim për BBC, një zëdhënës i Vatikanit ka deklaruar se prezantuesit nuk duhet t’i ishte dhënë titulli i Kalorësisë Papnore. Kreu i Kishës Katolike në Angli dhe Uells konfirmoi se i ka shkruar atit të shenjtë për t’i kërkuar nëse ky titull mund të tërhiqet.
Arqipeshkvi i Westminister, Vincent Nichols, bëri thirrje për një hetim duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për viktimat e veprimeve të Savile.
Savile, i cili ka prezantuar programin e njohur muzikor Top of the Pops, mund të ketë abuzuar me rreth 300 persona dhe e mori titullin në fjalë në vitin 1990.
Ndërkohë, një deklaratë e publikuar nga nipi i tij, Roger Foster, thotë se familja është e dëshpëruar dhe e trishtuar për zbulimet dhe se është në pritje të rrjedhës së ngjarjeve.
Savile ishte shpallur Komandant Kalorsiak nga Papa Gjon Pali II për bamirësinë e tij, që është një nga vlerësimet më të mëdha që Papa mund të bëjë.
Për momentin nuk është caktuar mbajtja e një proçesi për heqjen e titullit pas vdekjes, sepse vlerësimi vdes bashkë me marrësin e tij.
Duke folur për BBC, zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi deklaroi se, “ati i shenjtë dënon pa rezerva krimet e tmerrshme seksuale ndaj të miturve dhe i konsideron faktet e zbuluara mbi Savile shumë të rënda”.
Top Channel