Indonezi, shmangen sulmet anti-amerikane

27/10/2012 21:55

Policia në Indonezi deklaron se ka arrestuar 11 persona që dyshohet se po planifikonin të godisnin objektiva Perëndimorë.

Sasi eksplozivi dhe materiale për ndërtimin e bombave u gjetën në disa banesa të përdorura nga militantët, që ishin një grup i sapoformuar.

Mes objektivave, sipas policisë lokale, ishte ambasada amerikane në kryeqytet dhe një kompani minerare.

Një ofensivë kundër militantëve islamikë në Indonezi nisi pas bombardimeve të vitit 2002 në Bali dhe që atëherë ka pasur arrestime të shumta, që kanë vazhduar deri në muajt e fundit.

Të dyshuarit u arrestuan pasi policia bastisi katër lokacione. Ata dyshohen se po planifikonin të sulmonin ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Xhakarta dhe konsullatën amerikane në Surabaja.

Zyrat e kompanisë minerare “Freeport-McMoran” ishin gjithashtu mes shënjestrave të grupit, ka bërë të ditur policia.

Të arrestuarit rezultojnë të jenë anëtarë të një grupi militantësh të formuar së fundmi, të quajtur Lëvizja Sunite për Shoqërinë Indoneziane, ose HASMI.

Ende nuk dihet nëse grupi në fjalë ka lidhje me organizatën e vjetër militante Jemaah Islamiah, e fajësuar për bombardimet e vitit 2002 në Bali, ku humbën jetën 202 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA