Gaza, starton “paqja jo zyrtare” Izrael-Hamas

25/10/2012 03:42

Armëpushimi u negociua me ndihmën e Egjiptit, por termat e sakta dhe kohëzgjatja mbeten ende të panjohura, sipas korrespondentit të BBC-së në qytetin e Gazas.

Pesë veta janë plagosur në Izrael, që kur sulmi me raketa nisi ditën e hënë. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore në qytetin e Gazas, duke vrarë të paktën 4 militantë. Shkollat u mbyllën në të dy anët e kufirit, për shkak të frikës së sulmeve të mëtejshme.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri Benjamin Netanyahu premtoi se do të vazhdonte me “sulmet e kordinuara” ndaj militantëve, pas lëshimit të raketave të tyre në drejtim të Izraelit.

“Nuk e duam këtë përshkallëzim, por nuk ishim ne nismëtarët”, tha ai. “Por, nëse vazhdon, jemi të përgatitur për nisjen e një operacioni më të gjerë dhe më depërtues”.

Ditën e mërkurë, më shumë se 70 raketa u lëshuan drejt Izraelit jugor, duke plagosur 5 njerëz, 2 prej të cilëve në gjendje kritike, sipas ushtrisë izraelite. Si kundërpërgjigje, avionët izraelitë dhe tanket nisën sulme të kordinuara drejt Gazës veriore. Njësiti ushtarak i Hamasit, Izz al-Din Qassam, konfirmoi se ishte përfshirë në lëshimin e shumë prej raketave dhe murtajave drejt Izraelit.

Në një deklaratë të kësaj brigade, si dhe të një grupi të vogël militantësh në Gaza, Popular Resistance Committees (PRC), thuhej: “Këto misione të shenjta vijnë si kundërpërgjigje e krimeve të përsëritura e të vazhdueshme të armikut ndaj popullit tonë”.

Dhuna vjen në një moment kur shefja e politikave të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, do të vizitojë rajonin, në përpjekje për të rigjallëruar proçesin (e ngecur) të paqes në Lindjen e Mesme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA