Chavez mbështet Obaman

24/10/2012 00:00

Romney apo Obama? Beteja elektorale në Shtetet e Bashkuara po ndiqet me mjaft interes edhe në Venezuelë, pavarësisht marrëdhënieve të ftohta mes dy vendeve.

Vendi amerikano-latin është një ndër pesë eksportuesit më të mëdhenj të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe shifrat gjatë udhëheqjes së Obamas janë rritur ndjeshëm. Uashingtoni nën administratën e presidentit amerikan ka ndjekur një “politikë të butë” ndaj Karakasit, ndryshe nga premtimet elektorale të republikanëve.

Në një editorial të CNN përmendet fakti se vetë presidenti venezuelian, Hugo Chavez ka një simpati të theksuar për Obaman. “Ai është një djalë i mirë”, do të deklaronte Chavez për televizionin shtetëror në Venezuelë, duke shtuar më pas se nëse do të votonte, do të zgjidhte Obaman dhe jo Romneyn.

Chavez para pak javëve siguroi mandatin e tij të tretë 6-vjeçar në krye të Venezuelës ku ka premtuar përfundimin e reformimit socialist të vendit. Në këndvështrimin e tij, kandidati republikan është “mjaft ekstremist dhe i gatshëm të hapë luftë për rezervat e naftës së Venezuelës”.

Ashtu si udhëheqësi i tyre, edhe mbështetësit e Chavez shpresojnë në një fitore të Obamas. “Ai punon për popullin, ashtu si presidenti ynë”, thonë ata. Obama dhe Chavez kanë shtrënguar duart në vitin 2009 gjatë një samiti ndërkombëtar ku lideri bolivar i ka dhuruar librin “Plagët e hapura të Amerikës Latine; Pesë shekuj shfrytëzim të një kontinenti”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB