Recesioni spanjoll u thellua më tej në tremujorin e tretë, duke rritur kështu presionin mbi kryeministrin Mariano Rajoy, i cili tashmë është i detyruar të marrë parasysh masa edhe më të ashpra shtrënguese dhe mundësinë që të rishtrijë dorën tek Bashkimi Europian.
Të dhënat paraprake të Bankës Qendrore treguan të martën se ekonomia spanjolle u tkurr me 0,4% krahasuar me periudhën mars-qershor të të njëjtit vit, me shpenzimet që ranë si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.
Në total, në nëntë muajt e parë të 2012-s, ekonomia spanjolle ka pësuar një rënie prej 1,7%.
Këto të dhëna e bëjnë të sigurt përfundimin e vitit me recesion, i dyti në tre vitet e fundit.
Ç’është më e keqja, vetë qeveria spanjolle, ashtu edhe Fondi Ndërkombëtar Monetar, parashikojnë rënien edhe për vitin e ardhshëm, ndërsa niveli i kësaj tkurrje është e pamundur të përllogaritet.
Së bashku me Greqinë, Spanja ka papunësinë më të lartë në Europë, me 25% të krahut aktiv dhe si rrjedhojë e masave të ashpra të kursimit, sindikatat kanë realizuar protesta gjithmonë e më popullore në javët e fundit.
Top Channel