Siria, OKB jep alarmin për refugjatët

23/10/2012 21:20

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët ka dhënë sërish alarmin pasi rreth 100 mijë refugjatë sirianë janë regjistruar në Liban që nga fillimi i konfliktit në Siri.

“Libani është vendi i tretë i rajonit ku numri i sirianëve të strehuar ka kaluar 100 mijë njësi”, ka deklaruar zyrtari i lartë, duke shtuar se situata është jashtë kontrollit.

Ndërkohë presidenti Assad përpiqet të qetësojë ujërat me një gjest “çtensionues”, u jep amnistinë të gjithë të burgosurve që sipas tij nuk janë fajtorë për vepra terroriste, por që deri dje kanë kryer krime.

Bëhet fjalë për amnistinë e tretë të përgjithshme të dhënë nga Assad që nga nisja e protestave në mars të vitit 2011, menjëherë të shtypura nga regjimi dhe të tranformuara në vjeshtë në revolta të armatosura dhe që në disa zona kanë marrë formën e luftës civile.

Amnistia daton më 31 maj 2011 dhe ka qenë e vetmja që, të paktën teorikisht, ka përfshirë disa kategori të burgosurish politikë, mes të cilëve militantë të lëvizjes Vllazëria Myslimane, e konsideruar ilegale që prej vitit 1980.

Aktivistë dhe disidentë të shumtë e kanë denoncuar edhe në të kaluarën këtë lloj amnistie, si një mënyrë për të treguar se regjimi është i mëshirshëm ndaj popullsisë, por edhe për të nxjerrë mijëra kriminelë për t’i anëtarësuar më pas në milicitë besnike, që kanë si objektiv “mbrojtjen e popullsisë nga terroristët”.

Por tani është pikërisht popullsia që ka marrë arratinë. Sipas shifrave të përditësuara, janë mbi 358 mijë sirianët që kanë braktisur vendin në 19 muaj represion dhe dhunë dhe kanë kërkuar strehim në vendet në kufi.

Jordania ka regjistruar 105 mijë e 737 sirianë, ndërsa Turqia 101 mijë e 834, e ndjekur më pas pikërisht nga Libani me mbi 100 mijë njësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA