Një Obama imponues vuri rivalin e tij republikan, Mitt Romney në pozita mbrojtëse në çështjet e politikës së jashtme, duke shënuar një fitore solide në debatin e tyre të tretë dhe të fundit vetëm 15 ditë para ditës së zgjedhjeve.
Obama shfaqi përvojën e një “kryekomandanti” duke shpjeguar politikën amerikane nën udhëheqjen e tij dhe duke sulmuar pikëpamjet dhe propozimet e Romney-t, ish guvernator i Massachusetts-it por me pak përvojë në çështjet jashtë shtetit amerikan.
Romney përfundoi duke mbështetur pjesën më të madhe të politikave të administratës Obama në të cilat përfshiheshin pikat e nxehta, si lufta civile në Siri dhe parandalimi i Iranit në krijimin e një arme bërthamore, duke i dhënë Presidentit avantazhin në këtë debat.
Romney duartrokiti arritjen e Obamës në vrasjen e Osama Bin Ladenit dhe udhëheqëve të tjerë të Al Kaedës, por këmbënguli se “nuk kishte rrugë tjetër vec kësaj në këtë cështje”. Përkundrazi, ai propozoi për “një strategji gjithëpërfshirëse” për të ulur ekstremizmin e dhunshëm në Lindjen e Mesme.
Obama u përgjigj duke kritikuar kundërshtarin e tij në një sërë çështjesh të politikës së jashtme, duke pretenduar se Romney kishte favorizuar pozitat që dëmtonin Shtetet e Bashkuara apo ka shprehur ndonjëherë pikëpamje kontradiktore.
Ky ishte debati i tretë dhe final mes dy kandidatëve rreth 15 ditë nga data e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Top Channel