Kreu i Emergjencave Civile në Itali, Luciano Maiani, paraqiti dorëheqjen e tij pasi shtatë kolegë u dënuan nga një gjykatë për neglizhencë në detyrë përpara tërmetit të L’Akuilas në vitin 2009.
Gjashtë shkencëtarë dhe një ish-zyrtar i qeverisë u dënuan gjashtë vjet heqje lirie secili për vrasje të shumëfishtë për shkak të neglizhencës, pasi hartuan një deklaratë qetësuese, e cila siguronte publikun se ishte e sigurt të qëndronin brenda banesave të tyre, pak përpara se tërmeti me forcë 6,3 të shkallës rihter t’i merrte jetën 309 personave dhe të shkatërronte pothuajse tërësisht qytetin me 80 mijë banorë.
Maiani, një fizikant, deklaroi se përballë dënimeve që morën anëtarë të institucionit që ai përfaqësonte, ai nuk mund të vazhdonte të udhëhiqte më institucionin që drejtonte.
Duke folur për Agjensinë Italiane të Lajmeve “ANSA”, ai gjithashtu foli për “pamundësinë e punimit në mënyrë të qetë dhe e ofrimit të një këshille të kualifikuar shkencore, pas këtij verdikti të gjykatës”.
Ndëshkimi ndaj shkencëtarëve tronditi komunitetin shkencor italian, ndërsa më përpara, Maiani kishte mbrojtur pafajësinë e tyre, duke thënë se provat që ishin në atë kohë në dispozicion, mbështesnin deklatarën e bërë prej tyre.
Ish-kreu i qendrës europiane kërkimore të “CERN”-it në Zvicër, në vitet 1999-2003, Maiani theksoi se natyra e tërmeteve është e paparashikueshme dhe argumentoi se është “një skandal”, të dënosh shkencëtarë që u dënuan vetëm sepse po përpiqeshin të bënin sa më mirë detyrën e tyre.
Top Channel