Hetuesit rusë ndaluan një aktivist kundër të Presidentit Putin, i cili gjatë marrjes në pyetje pranoi se ishte financuar nga qeveria gjeorgjiane për të organizuar protesta masive dhe trazira në vend.
Leonid Razvozzhayev u zhduk të premten në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, pasi u takua me zyrtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, “UNHCR”-së.
Sipas përkrahësve të tij, ai u rrëmbye nga Shërbimet Sekrete Ruse (FSB).
Megjithatë, Komiteti Rus i Hetimeve, ekuivalentja e Policisë Federale Amerikane (FBI), informoi se Razvozzhayev u dorëzua vullnetarisht tek forcat e rendit dhe pranoi t’i nënshtrohej pyetjeve të hetuesve.
”Pranimi spontan” i krimit prej aktivistit erdhi vetëm disa ditë pasi kanali rus “NTV” transmetoi një dokumentar, i cili tregonte se si Udaltsov, një prej liderave të opozitës, takohej në zyrat e tij në Moskë me zyrtarë të lartë gjeorgjianë.
Sipas dokumentarit, bisedat ishin përqendruar në organizimin e një grushti shteti në Rusi.
Ndërkohë, një video e publikuar në një faqe të aktivistëve, tregoi një burrë me aparencat e Razvozzhayev që deklaronte se e kishin rrëmbyer në Kiev dhe se kishte pranuar “shumë gjëra” pas dy ditëve torturash çnjerëzore.
Burimi dhe vërtetësia e videos mbeten të paverifikuara.
Rusia pushtoi shkurtimisht Gjeorgjinë në vitin 2008, pas një konflikti për respektimin e të drejtave të pakicave ruse në vend.
Si rrjedhojë e konfliktit, krahinat e populluara me rusë etnikë të Abkazisë dhe Osetisë së Jugut shpallën pavarësinë nga Gjeorgjia, pavarësi që njihet zyrtarisht vetëm nga Moska.
Pavarësisht mospërfilljes ndërkombëtare të pavarësisë së tyre, krahinat janë virtualisht të pavarura nga Gjeorgjia dhe funksionojnë si krahina brenda Federatës Ruse.
Top Channel