Kore, Jugu tërhiqet përballë kërcënimit me luftë

22/10/2012 16:00

Policia e Koresë së Jugut pengoi një grup aktivistësh që të lëshonin një total prej 200 mijë tullumbacesh me mesazhe propaganduese në veri, pas kërcënimit me shpallje lufte nga ana e Penianit zyrtar.

Një grup koreanoveriorësh të arratisur ishin ata që kishin shpallur gjate javes se shkuar nismën, të cilës vendi komunist iu përgjigj me tonet më të ashpra.

Një sulm “i pamëshirshëm ushtarak do të jetë i përligjur pa asnjë paralajmërim, nëse Seuli do të realizojë provokimin e tij të radhës”, shkruhej në një komunikatë të publikuar nga Agjensia e Lajmeve së Koresë se Veriut, “KCNA”.

Për të mos tensionuar situatën me fqinjin, me të cilin Korea e Jugut është teknikisht në luftë prej gjashtë dekadash, Seuli vendosi që të bllokonte që gjatë mëngjesit të së hënës vendin ku ishte planifikuar të bëhej lëshimi, pranë kufirit midis dy shteteve.

Sipas ekspertëve, ky ishte kërcënimi më serioz i Penianit në disa vjet, edhe pse kërcënimet me luftë, janë një retorikë e njohur e regjimit komunist të Kim Jong-un.

Në një deklaratë, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Kwan-jin, u shpreh se “vendi është tërësisht i përgatitur dhe në gjendje që të zmbrapsë çdo sulm ushtarak që mund të vijë”.

Megjithatë, ai gjithashtu foli për rëndësinë e shmangies së tensioneve të kota, në një prej rajoneve më të militarizuara të globit.

Kombi korean dhe gadishulli në të cilin ai shtrihet mbetet i ndarë që prej luftës 1950-53, që përfundoi me një armëpushim, por pa paqe. Kjo bën që të dy shtetet, teknikisht të jenë ende në luftë midis tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA