Jordani, shmanget atentati i Al Kaedës

22/10/2012 18:15

Një grup terrorist i Al Kaedës ishte bërë gati të godiste në Jordani me një plan të sofistikuar që mund të kishte shkaktuar shumë viktima.

Por terroristët, nën mbikëqyrje nga autoritetet që prej qershorit, janë arrestuar nga këto të fundit para se të realizonin projektin.

Sipas autoriteteve, plani kriminal i organizuar nga Al Kaeda në Irak parashikonte disa faza: 1) Një aksion shpërqendrimi ndaj qendrave tregtare dhe dyqaneve për të tërhequr forcat e policisë; 2) Një sulm kundër hoteleve dhe selive diplomatike, përfshirë atë amerikane; 3) Të shtëna mortaje dhe atentate vetëvrasëse.

Formacioni përbëhej nga 11 elementë lokalë, që kishin kaluar muaj të shumtë në Siri përkrah një brigate xhihadiste, ndërkohë që parashikohej të mbërrinin edhe të tjerë.

Qëndrimi në Siri kishte shërbyer për të formuar grupin e sulmit dhe për ta pajisur atë me armët e nevojshme. Gjatë hetimeve janë sekuestruar sasi të mëdha armësh, plumba mortaje dhe eksploziv, si artizanal ashtu edhe ushtarak.

Në bazë të informacioneve të mbledhura nga shërbimi i sigurisë, GID, terroristët donin të përsërisnin një operacion të ngjashëm me atë të vitit 2005, kundër disa hoteleve të Amanit, ku 60 persona mbetën të vrarë dhe dhjetra të tjerë të plagosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA