
Gjashtë shkencëtarë italianë dhe një ish-zyrtar i Qeverisë u dënuan me nga 6 vite burg pasi u shpallën fajtorë për shpërndarje informacioni të rremë në lidhje me tërmetin tragjik të vitit 2009 në Akuila.
Vendimi u mor nga një gjykatë rajonale. Prokuroria kërkoi shpalljen fajtorë të tyre pasi dhanë informacion të pasaktë në lidhje me rrezikshmërinë e të tjera tërmeteve pas lëkundjes së parë.
Hetuesit sollën si dëshmitarë djalin e një prej 309 viktimave të tërmetit. Ai rrëfeu gjatë procesit se si gjatë një bisede telefonike mes babait të tij dhe të ëmës, ishte vendosur që të shpërnguleshin, por pasi kishin marrë informacionin e shpërndarë nga Komisioni Kombëtar për Parandalimin e Rreziqeve të Mëdha, kishin vendosur të qendrojnë.
Pala mbrojtëse deklaroi se shkencërisht është e pamundur të parashikohen tërmetet, megjithatë gjykata vendosi dënimin e gjashtë shkencëtarëve dhe ish-zyrtarit me burgim “për shpërndarje informacioni të pasaktë dhe kundërshtues”.
Kundër këtij procesi gjyqësor u rreshtuan shkencëtarët dhe studiuesit italianë. 5 mijë prej tyre firmosën një peticion drejtuar presidentit Napolitano ku i kërkojnë të ndërhyjë në mbrojtje të të akuzuarve.
Top Channel