Banorët e krahinës verilindore të Galicisë, në Spanjë, i drejtohen kutive të votimit, në zgjedhjet rajonale të konsideruara si një test vendimtar edhe për qeverinë e Mariano Rajoy.
Partia Popullore e qendër së djathtë e kryeministrit Rajoy ka udhëhequr krahinën autonome në 24 prej 31 viteve të fundit.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se Rajoy, me origjinë galiciane, ka humbur mbështetjen për shkak të masave të ashpra shtrënguese të kursimit.
Votimet rajonale do të mbahen edhe në krahinën baske, ku partitë separatiste pritet të dalin fituese.
Spanja është përfshirë nga vështirësi serioze ekonomike që prej krizës së 2008-s dhe regjistron papunësinë më të lartë në Europë, me 25% të krahut të aftë për punë, që e kërkon një të tillë, të papunë.
Aktualisht, vendi përballet me recesion dhe me një sektor bankar të mbingarkuar në borxhe, që kanë bërë të ekzistojë frika se vendi mund të përfshihet në një krizë të ngjashme me atë greke.
Top Channel