SHBA: Asnjë plan për bisedime me Iranin

21/10/2012 09:05

Shtëpia e Bardhë përgënjeshtroi një artikull të publikuar në “New York Times”, që informonte se Irani ka rënë dakord me autoritetet amerikane për të realizuar bisedime kokë më kokë në lidhje me programin e tij bërthamor.

Raporti, i cili citoi zyrtarë “të mirëinformuar”, shkruante se ndonëse Teherani ka dhënë aprovimin e tij, takimi nuk mund të mbahet përpara zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit.

Megjithatë, në reagimin e së dielës, Shtëpia e Bardhë informoi se ndërsa është e gatshme që të bisedojë e vetme me Iranin, nuk ka asnjë plan për të realizuar diçka të tillë.

Irani është vendosur aktualisht në qendër të një krize ndërkombëtare, me vendet perëndimore që besojnë se vendi është duke zhvilluar armë bërthamore, pretendim që Teherani e kundërshton me forcë.

Në këtë fushatë zgjedhore në SHBA, Irani është shndërruar në një çështje thelbësore debati midis Obamës dhe Romney-t.

Vendi i madh aziatik me 75 milionë banorë pritet të rikthehet në qendër të vëmendjes edhe gjatë së hënës, me rastin e debatit përfundimtar midis dy sfidantëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA