Ish-lideri revolucionar i Kubës, Fidel Kastro, është shfaqur në publik për herë të parë pas shumë muajsh, duke hedhur poshtë zërat për situatën e rëndë shëndetësore të tij.
Stafi i një prej hoteleve kryesore të kryeqytetit të Havanës bëri të ditur se Kastro ka takuar një politikan nga Venezuela, ditën e shtunë. Ish-zëvendës presidenti i Venezuelës, Elias Jaua, konfirmoi se kishte qenë në një takim prej 5 orësh me 86-vjeçarin Kastro.
Spekulimet në lidhje me shëndetin e Kastros kanë qenë të vazhdueshme, që kur vëllai i tij Raul mori drejtimin e Presidencës në vitin 2006. Jaua tha për gazetarët, e mbledhur në hotel “Nacional” të Havanës, se Fidel Kastro ishte “shumë mirë dhe shumë i kthjellët”.
Politikani venezuelian, i cili shërbeu si zëvendës president deri në zgjedhjet e fillim tetorit, tregoi gjithashtu një fotografi nga takimi. Fotoja e fundit e Kastros e bërë publike daton në mars të këtij viti, kur ish-lideri kubanez takoi për një kohë të shkurtër Papa Benediktin, gjatë vizitës së këtij të fundit në ishullin komunist.
Mungesa e gjatë e Kastros në ambjente publike i kishte rritur spekulimet në media se shëndeti i tij ishte përkeqësuar, apo madje edhe mund të ishte ndarë nga jeta. Megjithatë, Jaua tha se ish-lideri kubanez ishte në një formë të mirë.
“Biseduam për rreth 5 orë rreth agrikulturës, historisë, politikave të jashtme dhe… po, sigurisht që Fidel është shumë mirë”, tha ai. Jaua tha se Kastro e shoqëroi atë në ambjentet e hotelit pas takimit. “Ai kishte mirësjelljen të më sillte në këtë hotel”, tha Jaua.
Drejtori i hotelit, Antonio Martinez, tha se e kishte parë Kastron “shumë të lumtur, duke buzëqeshur vazhdimisht dhe duke folur për shumë gjëra”.
Top Channel