Një korrespondente e televizionit francez “France 24” u sulmua “egërsisht” në sheshin Tahrir të Kairos, pasi u rrëmbye nga turma e pranishme, bëri të ditur rrjeti televiziv ditën e shtunë.
Kanali informativ bëri të ditur në një deklaratë se Sonia Dridi u sulmua rreth orës 22:30 të së premtes, pas një transmetimi direkt të një proteste në shesh, e më pas u shpëtua nga një koleg dhe dëshmitarë të pranishëm. Ky është rasti i fundit i dhunës ndaj një femre gjatë protestave të pandalshme në Egjipt.
“France 24” nuk dha detaje të tjera rreth sulmit, por njoftoi se punonjësit e tyre ishin të sigurt, edhe pse “jashtëzakonisht të shokuar”, dhe se do të ndërmarrë hapa ligjore ndaj sulmuesve, të cilëve nuk iu përmendet emri. Rrjeti televiziv, i cili merr fonde shtetërore por që ka pavarësi editorialesh, bëri të ditur se ai së bashku me Ambasadën Franceze po punonin për të rikthyer Dridin në Francë.
“Më shumë e frikësuar sesa e lënduar”, shkroi Dridi në frëngjisht në llogarinë e saj në “Tëitter”, ditën e shtunë. Duke iu drejtuar në anglisht një kolegu, ajo shkroi: “Falenderime për Ashraf Khalil, i cili më ndihmoi në Tahrir gjatë natës së kaluar. Turma ishte tepër e vrullshme. Falë tij, arrita të arratisesha nga duart e pasigurta”.
Ashraf Khalil, i cili punon për shërbimet e “France 24” në anglisht, tha se turma ishte duke u afruar drejt tij dhe Sonia Dridit, ndërkohë që ata ishin duke raportuar drejtpërdrejtë në një rrugë anësore të Tahririt. Ai shtoi se sulmi dhe shmangia e tij zgjatën rreth 30 minuta, por atij iu duk sikur kaloi një kohë më e gjatë.
“Turma po shtohej në numër dhe më pas u egërsua. U përpoqa ta mbaja të përqafuar me të dy duart rreth saj dhe me fytyrat përballë njëri-tjetrit”, tha ai, duke theksuar se rreth 30 burra u përfshinë në këtë ngjarje. “Ishte e vështirë të thuhej se kush po ndihmonte dhe kush po e sulmonte”.
Khalil tha se ata u futën në një “fast-food” me dyer metalike, për ta mbajtur atë larg sulmuesve të paorganizuar.
Top Channel