Libi, 1 vit nga vrasja e Gaddafi-t

20/10/2012 17:10

Mbretëria e Muammar Gaddafi-t u shemb një vit më parë, me një vdekje që edhe sot mbetet mister. Ndërsa Libia e re, që lindi nga hiri i regjimit të vjetër, duket se e ka të vështirë të ngrihet.

Çlirimi i Libisë nga regjimi i kolonelit nuk është arritur plotësisht. Të paktën kështu thotë presidenti i Asamblesë Kombëtare Libiane, Mohamed Magarief, i cili denoncon vonesat dhe neglizhencat për kryerjen e reformave.

“Çlirimi i vendit nuk është realizuar tërësisht në disa rajone”, deklaron Magarief, duke iu referuar Bani Ualidit, një nga fortesat e fundit të mbështetësve të regjimit të vjetër, skenë e luftimeve të dhunshme prej muajsh dhe që tani po përgatitet për sulmin final të milicive ish-revolucionare.

Magarief e vë më tej theksin tek vonesat dhe neglizhencat në formimin e ushtrisë dhe policisë kombëtare, në kontrollin e armëve dhe dhe në integrimin e minoriteteve në institucionet shtetërore.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare citon gjithashtu vështirësitë për reformën në drejtësi, në veçanti përsa i përket reformatimit kombëtar.

“Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi dhe tensione mes përbërësve të ndryshëm të shoqërisë dhe ka shkaktuar çrregullim të rendit, kaos dhe korrupsion, fenomene që po çojnë në dobësimin e aksioneve qeveritare”, thotë më tej Magarief.

Ndërkohë, vdekja e kolonelit që qeverisi vendin për disa dekada rresht vazhdon të mbulohet nga misteri. Së fundmi u tha se ekzekutimi i tij ishte kryer nga shërbimet sekrete franceze, pasi Gaddafi dinte shumë gjëra që mund të bezdisnin Perëndimin.

Kryeministri i parë i zgjedhur që pas rrëzimit të regjimit të kolonel Gaddafi-t u shkarkua automatikisht më 8 tetor nga pozicioni i tij, pasi dështoi për të dytën herë radhazi që të fitonte aprovimin e Parlamentit për formimin e një kabineti të ri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA