Japoni, hija e mafias mbi ministrin e Drejtësisë

20/10/2012 16:00

Hija e jakuzës, mafia e fuqishme japoneze, është zgjatur mbi ministrin e Drejtësisë, Keishu Tanaka, që sipas mediave lokale ndodhet në prag të dorëheqjes.

Kur nuk ka kaluar as edhe një muaj nga emërimi i tij në kuadër të riformatimit të qeverisë nga kryeministri Yoshihiko Noda, Tanaka është përfshirë në një vorbull skandali pas një artikulli të së përjavshmes “Shukan Shincho”.

Revista ka shkruar për lidhje që datojnë 30 vjet më parë mes politikanit dhe një organizate të fuqishme kriminale nga Jokohama.

Tanaka, 74 vjeç, e ka përjashtuar në mënyrë absolute mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht se ndodhet në pozita të vështira edhe për marrjen e disa fondeve nga një shtetas i huaj.

Veprimi në fjalë bie ndesh me normat e financimeve të grupeve politike, që parashikojnë ndalimin e marrjes së kontributeve nga persona fizikë ose juridikë që nuk kanë kombësi japoneze.

Ndërkohë, ministri ka bojkotuar mbledhjen e djeshme të këshillit të ministrave për shkak të një aritmie kardiake që e ka detyruar të shtrohet në spital për kontrolle mjekësore.

Gjithësesi, fati i tij tashmë duket i shkruar, edhe për shkak të zhgënjimit të shprehur, sipas mediave lokale, nga vetë kryeministri Noda.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA