Avokati i Popullit, Igli Totozani ka vizituar pasditen e së shtunës ish-të përndjekurit në grevë urie. Në një prononcim për mediat në përfundim të vizitës, Totozani e ka vlerësuar situatën e grevistëve si tepër të rëndë, për faktin se atyre nuk u lejohen lëngjet, serumet dhe ilaçet.
“Për disa ditë unë mbush 10 muaj si Avokat i Popullit. Mund t’ju them se kam parë shumë gjatë këtyre 10 muajve. Kam pasur të bëj me problematika nga më të ndryshmet, por vizitë më të vështirë dhe më të dhimbshme sesa kjo e sotmja nuk kam pasur. Kjo vizitë më bind që situata të tilla duhet t’i kemi sa më të rralla, ose të mos i kemi fare”, ka thënë Totozani.
“U njoha me problemet e grevistëve dhe ajo që mund të them është se mora informacion nga ata se u janë ndaluar lëngjet, serumet dhe ilaçet. Ne kemi pasur një komunikim me Policinë e Shtetit, i kemi shkruar zotit Hysni Burgaj një letër ku kërkojmë që mediat, familjarët dhe lëngjet të lejohen të futen në çadër. Sot kam konstatuar se kjo gjë u është ndaluar”, ka theksuar avokati.
Zoti Totozani u ka drejtuar një apel personave përgjegjës që kanë dhënë këtë urdhër, që ta tërheqin atë në mënyrë të menjëhershme. “I kujtoj kujtdo që ka dhënë këtë urdhër, që në mënyrë miqësore të ketë kujdes, sepse ky urdhër është në ekstremitetet e degradimit çnjerëzor”, ka theksuar Totozani.
Avokati ka kujtuar se një urdhër i tillë ndalohet nga konventat ndërkombëtare dhe ka bërë thirrje për dialog për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë. “Ky është një akt që dënohet nga konventat e BE-së. Iu kërkoj të gjithëve që të ulin tensionet, grevistëve, qeverisë, kryeministrit, etj. Të kthehet qetësia dhe me gjakftohtësi të fillojnë një dialog konstruktiv”, ka shtuar Totozani.
Top Channel