Afganistan, vriten 6 policë në jug të vendit

20/10/2012 15:45

Gjashtë policë afganë janë vrarë pasi një oficer dhe një kuzhinier organizuan eleminimin e tyre në provincën e Helmandit. Sipas autoriteteve lokale, kuzhinieri ishte përpjekur t’i helmonte agjentët në një postobllok në rajonin e Gereshkut që ditën e premte.

Ai dhe një polic tjetër, pasi dështuan në këtë tentativë, qëlluan me armë zjarri dy agjentë duke i lënë ata të vdekur. Ndërsa katër të tjerët u vranë nga rebelët që sulmuan postobllokun.

Ky është incidenti i radhës që regjistrohet në radhët e forcave afgane të sigurisë që sulmojnë kolegët e tyre vendas apo të huaj.

Polici që sulmoi në pikën e kontrollit u kap më vonë nga kolegët e tij në rajonin Musa Kala dhe po merret në pyetje, ka deklaruar zyra e guvernatorit të Helmandit. Nga ana tjetër, talebanët kanë marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit ndaj katër agjentëve të mbetur.

Rritja e numrit të sulmeve të brendshme në radhët e forcave afgane të sigurisë ose ndaj forcave të koalicionit ka ngritur dyshime për proçedurat e rekrutimit dhe besimin tek liderët tribalë, që zgjedhin çdo rekrut.

Komandantët ushtarakë i quajnë këto sulme si “jeshil mbi jeshil”, ose “jeshil mbi blu”, që do të thotë jeshil për forcat afgane dhe blu për ato të koalicionit.

Një dyzinë policësh e ushtarësh vendas dhe rreth 50 trupa të huaja janë vrarë këtë vit në sulme të tilla, duke nxitur trupat e NATO-s që të armatosen për të gjitha patrullimet dhe autoritetet që të marrin masa më të rrepta për rekrutimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA