Autoritetet franceze mund të kishin parandaluar masakrën e Tuluzës, tregoi një raport i detajuar i publikuar ditën e premte në të përditshmen “Le Monde”.
Ndikuar nga bindjet e tij ekstreme, Mohamed Merah, ekzekutoi më parë gjatë vitit shtatë persona, katër prej të cilëve hebrenj, përpara se të vritej i rrethuar nga policia.
Megjithatë, duket se Shërbimet Sekrete Franceze kishin kohë që e ndiqnin dhe mund ta kishin kapur në kohë, nëse nuk do të kishin vendosur të ndërprinin ndjekjen e tij në mënyrë të pajustifikuar, pavarësisht provave të qarta për lidhjet e të riut me grupet xhihadiste.
Më shumë baltë, mbi punën e Shërbimeve të Fshehta hedh dëshmia e një oficeri, i marrë personalisht me përgjimin e Merah.
Sipas tij, ndjekja nisi në vitin 2006 dhe pesë vjet më pas, në 2011-n, ekzistonin dyshime të forta, aq më tepër sepse i riu me origjinë algjeriane shumë rrallë dilte nga shtëpia dhe konsultonte vazhdimisht në internet faqe të organizatave ekstremiste.
Në prill, ai të të njëjtit vit, ai u shfaq i dhunshëm ndaj një gruaje që shfaqi mungesë respekti për islamin.
Ndërsa në muajin nëntor, Merah u mor në pyetje nga autoritetet, pas një vizite në Pakistan, arsyet e së cilës ai nuk mundi t’i shpjegonte asnjëherë plotësisht. Në Pakistan, duket Merah pati kontakte me disa militantë, të cilët e udhëzuan se si të vazhdonte në rrugën e tij.
Pavarësisht të gjitha këtyre provave, Shërbimet Sekrete ndërprenë ndjekjen një javë pas pyetjes, duke mos e konsideruan Merah si një “kërcënim direkt”, duke i dhënë kështu mundësi që në datat 11-19 mars 2012, i riu të terrorizonte vendin me fushatën e tij të vrasjeve.
Top Channel