Siria, thirrja e Turqisë për armëpushim

19/10/2012 00:00

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu u bëri thirrje palëve në konfliktin sirian që me rastin e festës së Kurban Bajramit të pranojnë planin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi e t’i japin fund dhunës.

Turqia mbështet opozitën siriane në luftën e saj kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad. Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, aq sa disa herë kanë përfunduar me shkëmbime raketash në kufirin ndarës.

Ndërsa Irani iu kundërvu qendrimit të Turqisë. Presidenti Ahmadinejad iu kundërvu propozimit të Ankarasë, për zëvendësimin e Presidentit Bashar al-Assad, nga ndihmësi i tij Farouk Shara, gjatë periudhës së tranzicionit.

”Zgjidhja duhet të gjendet brenda vendit. Janë sirianët ata që duhet të vendosin për të ardhmen e tyre nëpërmjet zgjedhjeve demokratike dhe të ndershme”, theksoi Ahmadinejad.

Ndërkohë, pas një sulmi ajror të ushtrisë siriane, të paktën 20 persona humbën jetën, mes të cilëve edhe fëmijë. Ngjarja u regjistrua në Marrat an Numan, 300 km në veri të Damaskut, kryeqytetit të vendit.

Banorëve iu desh të gërmonin nën rrënojat e ndërtesave, për të gjetur trupat e pajetë. Ky fakt vjen pasi grupet e të drejtave të njeriut në Siri thanë se 28 mijë persona rezultojne të zhdukur, të rrëmbyer nga ushtarët apo milicia siriane.

Ata thanë se kanë emrat e 18 mijë personave të humbur prej nisjes së protestave kundër regjimit të Bashar Al Asadit, marsin e vitit të kaluar si dhe 10 mijë raste të tjerë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta