“Rubygate”, dëshmon Berlusconi

19/10/2012 00:00

Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi dëshmoi në gjykatën e Milanos ku po shqyrtohet rasti “Ruby”. Berlusconi është i akuzuar në këtë cështje për shfrytëzim prostitucioni me persona minorenë.

Ish-kryeministri italian mohoi pretendimet e akuzës se në banesën e tij në Arcore janë organizuar festa të shfrenuara me “natyrë seksuale”.

“Mund të përjashtoj me qetësinë më të plotë, se në shtëpinë time asnjëherë nuk kanë ndodhur skena me natyrë seksuale”, deklaroi Berlusconi duke dhënë më pas detajet rreth darkës në shtëpinë e tij në Arcore ku akuza pretendon se janë organizuar festat e shfrenuara.

“Gjatë festës hanim të gjithë së bashku në një tavolinë të shoqëruar nga Mariano Apicella dhe këngëtarë të tjerë profesionistë. Më pas ishte shfaqja me kostume që nuk kishte asgjë vulgare në mes. Në ambientet e diskotekës, që është e fëmijëve të mij kërcehej normalisht, si në cdo diskotekë publike. Por unë nuk kam kërcyer asnjëherë”, vijoi Kavalieri.

“Rubygate” shpërtheu pas publikimit të disa fotove në mediat italiane ku shfaqej kryeministri i tyre në shoqërinë e vajzave të reja mes të cilave dhe Ruby, vajza marokene e cila ishte minorene në periudhën kur mendohet se ka qenë një ndër të ftuarat e Berlusconit.

Edhe vetë Karima El-Mahroug, e nohur me pseudonimin Ruby mohoi se ka patur marrëdhënies seksuale me Berlusconi. Kur ishte 17 vjeç ajo u arrestua nën akuzën e vjedhjes, por sipas akuzës, ka qenë ndërhyrja e Berlusconit tek organet e policisë që kanë bërë të mundur lirimin e saj.

Nga ajo që u publikua në mediat italiane vitin e kaluar thuhej se Berlusconi i kishte kërkuar policisë lirimin e saj me pretendimin se ajo ishte mbesa e presidentit egjiptian, Hosni Mubarak.

Edhe këtë akuza, ish-kryeministri italian e hodhi poshtë.
 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta