“Koreja e Veriut do mbetet një diktaturë”

19/10/2012 00:00

Shpresat e venitura tashmë për një kurs ndryshe të Koresë së Veriut me marrjen e pushtetit nga Kim Jong-un pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Kim Jong-il, shuhen nga një tjetër pinjoll i dinastisë së diktatorëve koreano-veriorë.

Stërnipi i Kim Jong-il dhe nipi i Kim Jong-un, Kim Han-sol, 17-vjeçari që aktualisht ndjek studimet në një universitet ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, në një intervistë të rrallë për një televizion finlandez foli për ëndrrën e tij për të ndihmuar popullin e izoluar të Penianit.

“Gjithmonë kam ëndërruar se një ditë do të kthehem në atdhe dhe do të përmirësoj e lehtësoj jetën atyre njerëzve atje”, thotë Kim Han-Sol.

Më tej ai tregon se si kishte zbuluar se rridhte nga familja e udhëheqësve komunistë. Jetova një fëmijëri të izoluar në Makau dhe Kinë për vite me radhë, thotë ai, deri kur bëra bashkë të gjitha pjesët e enigmës dhe kuptova se babai im ishte djali i madh i Kim Jong-il.

Në fakt babai i tij, Kim Jong-nam besohet se nuk ka qenë i interesuar për politikën dhe se në 2001-in është vendosur nga Kim Jong-il që trashëgimia e pushtetit të kalojë në duart e Kim Jong-un, djalit të tij të preferuar.

Ndërsa duke u ndalur tek profili i xhaxhait të tij të vogël, që në dhjetor mbush vitin që nga marrja e pushtetit, 17-vjeçari thotë se nuk e kupton pse vendosi të bëhet diktator, në një kohë kur shkollimin e ka kryer në Zvicër dhe është njohur me përparimin dhe mirëqënien perëndimore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta