Korea e Veriut kërcënon me luftë Seulin

19/10/2012 15:10

Korea e Veriut kërcënoi këtë të premte fqinjin jugor me një sulm të përgjithshëm ushtarak, nëse gjatë javës së ardhshme do të vihet në zbatim plani për të lëshuar 200 mijë tullumbace, me mesazhe kundër regjimit përtej kufirit.

Një sulm “i pamëshirshëm ushtarak do të jetë i përligjur pa asnjë paralajmërim, nëse Seuli do të realizojë provokimin e tij të radhës”, shkruhej në një komunikatë të publikuar nga Agjensia e Lajmeve së Koresë, “KCNA”.

Në deklaratën e Penianit, specifikohej se zona që do të goditet është qyteti kufitar i Pajus, një pikë e rëndësishme turistike në jug.

“Ushtria Popullore e Koresë së Veriut nuk merret asnjëherë me fjalë të kota”, i jepte tone më serioze kërcënimit “KCNA”-ja.

Sipas ekspertëve, ky është kërcënimi më serioz i Penianit në disa vjet. Megjithatë, kërcënimet me luftë, janë një retorikë e njohur e regjimit komunist të Kim Jong-un.

Në një deklaratë, ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Kwan-jin, u shpreh se “vendi është tërësisht i përgatitur dhe në gjendje që të zmbrapsë çdo sulm ushtarak që mund të vijë”.

Kombi korean dhe gadishulli në të cilin ai shtrihet mbetet i ndarë që prej luftës 1950-53, që përfundoi me një armëpushim, por pa paqe. Kjo bën që të dy shtetet, teknikisht të jenë ende në luftë midis tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA