Honduras, plan për qytete private

19/10/2012 19:30

Gjykata Kushtetuese e Hondurasit, në Amerikën Qendrore, hodhi poshtë një prej projekteve unike të llojit të vet, atë të krijimit të qyteteve private.

Projekti në fjalë u propozua si ide nga presidenti Porfirio Lobo, i cili vlerësoi se ndërtimi i qyteteve me të drejta ekskluzive për pronarët e tyre do të tërhiqte investime të huaja dhe do të krijonte vende pune.

Në bazë të propozimit, qytetet do të drejtoheshin në mënyrë ekskluzive, me një polici private dhe sistem të ndryshëm tatimor, me qëllimin për t’u shndërruar në “qytete model”.

Me 13 vota kundër dhe një pro, Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë planin, duke e vlerësuar atë se binte ndesh me parimin e sovranitetit të vendit.

Me dhjetëra mijëra qytetarë festuan për këtë vendim jashtë selisë së gjykatës, në kryeqytetin Teguçigalpa. Megjithatë, presidenti Lobo u shpreh i vendosur që të vazhdojë të këmbëngulë në idenë e tij “përparimtare”.

Një vend me 8,2 milionë banorë dhe të ardhura për frymë dy herë më të ulëta se Shqipëria, Hondurasi shtrihet në jug të Meksikës, dhe është një prej shteteve më të varfëra të kontinentit dhe me kriminalitetin më të lartë.

Për këtë arsye, disa muaj më parë qeveria vendosi të dislokojë ushtrinë në rrugët e qyteteve për të frenuar valën e kriminalitetit, si ordiner, ashtu edhe i organizuar. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA