Duke përforcuar propozimin e ministrit të saj të Financave, Volfgang Shauble, kancelarja gjermane Angela Merkel apeloi që komisionerit për Çështjet Ekonomike t’i jepen të gjitha kompetencat per t’i vendosur veto buxheteve të vendeve anëtare.
Ajo kërkon ndërhyrjen e tij, me të drejta të plota nëse buxhetet kombëtare shkelin rregullat e bllokut. Idea -parashikohet të kundërshtohet nga anëtarët e tjerë, të cilët do të shqetësohen nga zgjerimi i pushtetit të Komisionit Europian.
Në fillim të samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, ftoi të gjithë anëtarët për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel për Paqe në Norvegji.
Samiti pritet të përqendrohet tek plani për Unionin Bankar. Qëllimi është të pranohet fillimisht “mbikqyrja e bankave”, me Bankën Qëndrore Europiane në rolin kryesor, por Britania e Madhe, qendra kryesore financiare e BE-së kërkon mbrojtje për ruajtjen e kompetencave të Bankës së Anglisë. Përveç saj edhe nëntë vende të tjera, jo anëtare të eurozonës, kanë shprehur shqetësimin për të drejtën e votës mbi propozimin për Unionin Bankar.
UNIONI BANKAR, PLANI ME 3 FAZA I BRUKSELIT
1- Mekanizëm i Vetëm Monitorues
2- Skema e zgjidhjes së përbashkët për të ulur falimentimin e bankave
3- Skema e përbashkët e garantimit të depozitave
Në një intervistë për gazeten britanike “The Guardian” presidenti i Francës, Fransua Holond, tha se nuk ka më kohë për të humbur në ngritjen e Unionit Bankar. Ndërsa 17 vendet anëtare të eurozonës pritet të mbështesin gjerësisht propozimin e Unionit Bankar, 10 të mbeturit hezitojnë që bankat e tyre të përballen me një rregullore të re, pa patur mundësi të thonë fjalën e tyre. Në samitin që zhvillohet në Bruksel – siç spekullohet – pritet që Spanja të kërkojë një plan të kufizuar shpëtimi.
Top Channel