Me afrimin e 28 Nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë ka intensifikuar aktivitetet kremtuese të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në shenjë mirënjohjeje për aktin më të rëndësishëm shtetformues të shqiptarëve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka zgjedhur të nderojë 4 qytete shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm, përkatësisht komunën e Prizrenit, komunën Çair në Shkup, komunën e Ulqinit dhe natyrisht Vlorën.
Zonja Topalli iu dorëzoi secilit prej përfaqësuesve të këtyre qyteteve historike për shqiptarët botimin special të Kuvendit, i prodhuar në 200 kopje dhe që përmban aktet e themelimit të shtetit shqiptar nga viti 1912-1920.
“Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo e pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë gurët e themelit të shtëpisë së Kombit. Në themelin e pavarësisë kishte vënë gurë e gjithë shqiptaria. Por Vlora kurorëzoi ëndrrat e aspiratat shumëshekullore. Mirënjohje përjetë Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlorës, prijësit e kryetarit tonë të parë të Shqipërisë së pavarur”, deklaroi Topalli.
“Më 28 Nëntor 1912, Shqipëria thotë me zë të lartë para botës ekzistencën e saj. Të drejtën e shenjtë për të qenë e pavarur dhe e lirë. Në shenjë mirënjohje sot, kujtojmë Kryengritjet e Shkupit (1843-1844), Lidhjen e Prizrenit (1878), Luftën e malësorëve të Veriut me Ulqinin (1911), Vlorën për ngritjen e flamurit (1912) e Kuvendit të parë”, vijoi kryeparlamentarja.
“Sot, me shumë nderim e përulësi ne duam t’i themi Faleminderit!. Faleminderit Prizrenit, faleminderit Shkupit, faleminderit Ulqinit të sakrifikuar, Faleminderit Vlorës. Mirënjohje të pafundme”, u shpreh Topalli.
Top Channel