Siri, frikë për 28 mijë të zhdukur

18/10/2012 00:00

Grupet e të drejtave të njeriut që punojnë në Siri deklarojnë se të paktën 28 mijë persona janë zhdukur pasi janë rrëmbyer nga ushtria ose milicia.

Ato thonë se kanë emrat e 18 mijë personave të humbur që nga fillimi i protestave 18 muaj më parë dhe se janë në dijeni të 10 mijë rasteve të tjera.

Grupi aktivist Avaaz ka njoftuar online se “askush nuk është i sigurt” nga fushata e terrorit të qeverisë. Grupi ka ndërmend t’i japë Këshillit të OKB për të Drejtat e Njeriut një dosje për hetim.

Avaaz ka mbledhur dëshmi nga shumë gra siriane që thonë se bashkëshortët e tyre, djemtë dhe vajzat janë marrë me forcë nga trupat pro-qeveritare.

Alice Jay, drejtuese e grupit, thotë: “Sirianët po grabiten rrugëve nga forcat e sigurisë dhe grupet paraushtarake dhe po zhvuken në qelitë e torturave”.

“Qoftë gratë kur shkojnë për të blerë ushqime, qoftë fermerët kur shkojnë për karburant, asnjë nuk është i sigurt. Kjo është një strategji për të tmerruar familjet dhe komunitetet”, ka thënë Jay.

“Paniku e të mos diturit se ku ndodhet bashkëshorti ose fëmija, apo nëse ata janë gjallë apo jo ushqen frikën tek qytetarët”, ka deklaruar aktivistja.

Më tej ajo ka shtuar se fati i të gjithë këtyre njerëzve duhet të hetohet dhe përgjegjësit e rrëmbimeve duhet të ndëshkohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA