Pacientët e siguruar, trajtim në spitale private

18/10/2012 00:00

Ligji i ri i sigurimeve shëndetësore hyn në fuqi vitin e ardhshëm, për
plotësimin e tij pritet të miratohen edhe akte nënligjore. Kështu, në
vitin 2013, të gjithë ata qytetarë që paguajnë sigurime shëndetësore do
të kenë mundësi të drejtohen me çmime të ulëta apo edhe falas në
spitalet private.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë do të vendosë mekanizma dhe ka në projekt të negociojë për uljen e çmimit të shërbimeve në spitalet private. Qendrat shëndetësore jopublike do të ofrojnë shërbime falas apo me çmime më të ulëta për të gjithë personat e siguruar. Sipas ligjit të ri, pacientët e siguruar do të mund të trajtohen në spitalet private dhe përveç kostos që ata paguajnë duke derdhur kontribute, pjesën shtesë të trajtimit do të mund ta shlyejnë me para në dorë.

Të gjithë pacientët e pasiguruar do të duhet të bëjnë sigurim vullnetar, në të kundërt shërbimin shëndetësor do ta paguajnë pas marrjes së kujdesit spitalor. Për kategori të veçanta rimbursimin do ta bëjë shteti, por në këtë rast qytetarët do të duhet të vërtetojnë gjendjen e tyre financiare nëpërmjet dokumentacionit të lëshuar nga njësitë bashkiake.

“Institucionet private nuk do të ngelen jashtë skemës së sigurimeve shëndetësore dhe qytetarët natyrisht në raport me kontributet që kanë paguar do të kenë mundësi që atë pjesë të kontributit ta transferojnë apo ta marrin në formën e një fature, apo çeku, për ta përdorur në institucionin privat. Se sa do të jetë kjo vlerë është për t’u përcaktuar me akte nënligjore që do të vijnë në zbatim të ligjit”, tha Pëllumb Pipero, drejtor i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, ky dikaster do të rishikojë edhe çmimet që ofrojnë klinikat dhe spitalet private në raport me koston e shërbimit.

Ndryshimet që do të hyjnë në fuqi në mars të vitit të ardhshëm parashikojnë rritjen e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shëndetësore. Do të kërkohet sigurimi i detyruar shëndetësor për të gjithë ata persona që kanë mundësi ta paguajnë. Nëse qytetarët nuk do të bëjnë sigurimin, të gjitha shërbimet duhet t’i paguajnë me para në dorë. Kurse personat që nuk kanë të ardhura duhet të vërtetojnë gjendjen e tyre ekonomike, duke paraqitur vërtetime nga zyra e punës apo të pushtetit vendor. Për këta, shërbimi do të paguhet nga shteti. Sakaq, personat që do të kenë mundësi t’u drejtohen spitaleve private, janë kryesisht ata qytetarë që paguajnë sigurime shëndetësore të nivelit mesatar apo të lartë. Për shërbimet e shtrenjta, kosto do të paguhet kesh nga pacienti përveç përqindjes së paguar nga qytetari në formën e sigurimeve.

“Tarifat e institucioneve private në raport me kostot reale që ofrojmë për shërbime ekuivalente ne në spitalet publike janë vërtet shumë të larta. Besoj vitin që vjen natyrisht që një target i punës sonë do të jetë edhe rregullimi i tregut të institucioneve shëndetësore jopublike me shtretër, për të mos lejuar abuzimin me çmimet”, tha Pipero.

Top Channel