
Qeveria kolumbiane dhe rebelët e majt të FARC-ut nisën përpjekjen e tyre të tretë në histori për t’i dhënë fund konfliktit 50-vjeçar në vend.
Këto janë bisedimet e para direkte mes dy palëve në dekadën e fundit. Procesi i bisedimeve për paqe nisi në një hotel në Norvegji dhe negociatat pritet të zgjasin për muaj me radhë.
Në një deklaratë të përbashkët të dyja palët bien dakort për nisjen e fazës së dytë të bisedimeve që më pas do të zhvendosen në kryeqytetin kuban, Havana. Faza e parë e këtij procesi, ajo që rivendosi kontaktet mes dy palëve u zhvillua përgjatë muajit shkurt.
Përfaqësuesi i qeverisë në këto bisedime tha se të dyja palët ranë dakort për nevojën e ndryshimeve sociale në vend që duhet të pasqyrojë më shumë siguri për qytetarët.
“Deklaruam se ky proces, ky i nisjes së bisedimeve për paqe, është në vazhdën e procese që kanë ndodhur vetiu në vitet e fundit”, deklaroi Humerto de la Calle, kryenegociatori i qeverisë.
Ndërkohë përfaqësuesi i rebelëve tha se vjen në këto bisedime me një “degë ulliri” në dorë në kërkim të një zgjidhje paqësore të përhershme.
Sipas planit të bisedimeve, në fazën e tretë parashikohet firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithmonë nëse palët bien dakort.
Përgjatë 5 dekadave konflikt tre herë të dyja palët janë përpjekur t’i gjëjnë gjuhën e përbashkët përmes bisedimeve, por që të gjitha këto marrëveshje, shkeleshin brenda pak viteve. Marrëveshja e fundit e nënshkruar në 1999, u shkel në vitin 2002.
Top Channel