Kinë, ngadalësohet rritja ekonomike

18/10/2012 00:00

Ekonomia kineze ka ngadalësuar ritmet për të shtatin tremujor radhazi,
pasi problemet e verifikuara në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë
dëmtuar kërkesën për produktet e saj.

Kuota vjetore e rritjes ishte 7.4 për qind në tremujorin e tretë, më pak se 7.6 për qind që ishte në tremujorin e mëparshëm. Gjithësesi, ka shenja se ekonomia e dytë më e madhe në botë po stabilizohet dhe po e rimerr veten.

Ky do të ishte një lajm i mirë për Kinën, që po përballet me sfidën e lidershipit, si dhe për pjesën tjetër të botës, që ka përfituar nga zhvillimi i saj i viteve të fundit.

Në Hong Kong, indeksi i aksioneve të bursës Hang Seng u rrit me 0.7 për qind, ndërsa në Shangai aksionet u ngritën me 1.2 për qind.

Rritja ekonomike e Kinës në vitet e fundit është udhëhequr nga suksesi i eksporteve të saj dhe i sektorit të manifakturës, për të mos harruar investimet e drejtuara nga qeveria.

Por një numër problemesh kanë dëmtuar së fundmi kërkesën për eksportet kineze, si kriza e borxhit në eurozonë dhe rimëkëmbja e ngadaltë e Shteteve të Bashkuara.

Kjo situatë ka rritur shqetësimet se rritja ekonomike e Kinës do të ngadalësohet edhe më tej në muajt e ardhshëm dhe mund të bjerë nën kuotën 7 për qind, duke shkaktuar rënie të fitimeve si brenda edhe jashtë vendit.

Kjo do të thotë se Kina është përpjekur të shmangë një gjë të tillë teksa përgatitet për ndryshimin e lidershipit të saj që ndodh një herë në një dekadë.

Partia Komuniste që qeveris vendin do të publikojë brezin e ardhshëm të udhëheqësve në nëntor. Në vend ekziston frika se ngadalësimi i ritmeve ekonomike mund të sjellë rënien e vendeve të punës dhe për pasojë rritjen e papunësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB