“Të martohej me kryeterroristin e më pas ta vriste”

17/10/2012 14:10

Një i infiltruar danez i mundësoi CIA-s eleminimin e Anuar al Aulakit, eksponentit të lartë të Al Kaedas në Jemen.

Morten Storm, një 36-vjeçar danez, ish i burgosur që më pas iu bashkua ekstremistëve islamikë, rrëfeu historinë e tij, që ngjason më shumë me një skenar të filmave hollivudiane të spiunazhit. Storm thotë se iu bashkua lëvizjeve radikale islamike pas një jete të vështirë. Ai pretendon se fitoi aq shumë besimin e tyre sa arriti të njohë personalisht al-Aulakin. Por në 2006 u zhgënjye nga këto lëvizje dhe kontaktoi shërbimin sekret danez, PET.

Këta të fundit njoftuan CIA-n e cila nisi ta shfrytëzojë për lokalizimin dhe eleminimin e tij për t’i dhënë një goditje të fortë celulës së Al Kaedas në Jemen dhe në gjithë Gadishullin Arabik.

Storm thotë se komunikonte vazhdimisht nëpërmjet USB-ve me al-Aulakin edhe pas 2006-ës kur nisi të kryente rolin e të infiltruarit të CIA-s brenda Al Kaedas. Në një shkëmbim mes meje dhe tij, thotë Storm, al Aulaki më kërkoi t’i gjeja një grua (e treta për liderin e Al Kaedas). Kërkesat e tij, vijon Storm, ishin të qarta, e donte europiane dhe mundësisht bjonde.

Ky ishte rasti që CIA priste prej shumë vitesh. Në rrëfim thuhet se si agjencia amerikane e inteligjencës u vendos në lëvizje duke derdhur 250 mijë dollarë në xhepat e spiunit të saj, si ndihmë për rekrutimin e një “europiane bjonde” që pas “martesës” me al Aulakin, do ta vriste atë.

Kërkimet çuan në gjetjen e Aminahsë, një 23-vjeçare kroate e konvertuar në islam. Në zbatim të porosisë së CIA-s, Storm i jep rekrutes së tij valixhen me paratë, brenda së cilës ndodhej një pajisje e sofistikuar elektronike që do të shërbente si lokalizator për vendndodhjen e al Aulakit.

Vecse jo gjithcka shkoi sipas planit. Me të mbërritur në aeroport, njerëzit e Al Kaedas i morën veç bagazhet e bashkëshortes së ardhshme të bosit të tyre duke humbur gjurmët. Kjo pamundësoi gjetjen e al Aulakit.

Por thuajse një vit më vonë nga dështimi i këtij operacioni, gjuetia e 007-ave amerikane pati më shumë sukses dhe Anuar al Aulaki mbeti i vrarë gjatë një sulmi me avionë pa pilot.

Sa për fatin e Aminahs, Morten Storm rrëfen se ajo i qendroi besnike ekstremistëve, madje disa herë ishte vetëofruar për atentate me bomba vetëvrasëse, por drejtuesit e Al Kaedas në Jemen kishin vlerësuar se ajo u duhej më shumë e gjallë për propagandimin e kauzës së tyre.

Por sa i vërtetë është rrëfimi i Morten Storm? Në kohën kur burimet zyrtare e përgënjeshtrojnë këtë skenar, ekspertë të terrorizmit thonë se në mos i gjithë, rrëfimi i danezit mund të ketë disa të vërteta brenda. Ata argumentojnë se celula e Al Kaedas në Jemen ka patur dhe vijon të ketë elementë europianë brenda saj, madje njëri prej tyre tentoi të ndërmarrë një sulm vetvrasës ndaj një avioni amerikan.

Ndërsa hipoteza tjetër është se rrëfimi i danezit është i kurdisur për të mbuluar gjurmët e spiunit të vërtetë dhe për të çoroditur ekstremistët, brenda të cilëve mund të jetë ende spiuni i rastit në fjalë.

Në gjithë këtë histori, vetëm një është e vërteta e sigurtë, ajo që kreu i Al Kaedas për Jemenin, Anuar al Aulaki u vra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA