Abuzoi seksualisht me një nxënës që mori në kujdestari, arrestohet mësuesja 49-vjeçare në Florida
I dërguari i posaçëm i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi mbërriti në Bejrut në kuadër të një turi në rajon për zgjidhjen e konfliktit shumë-mujorsh që ka përfshirë Sirinë.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, vizita e diplomatit veteran algjerian synon parandalimin e përhapjes së konfliktit në rajon. Në Bejrit, Brahimi do të takohet me presidentin libanez, Michel Suleiman dhe kryeministrin vendas, Nabih Berri.
Qytetet kufitare me Sirinë të Libanit herë pas here janë përfshirë nga dallga e përleshjeve të armatosura në Siri. I dërguari i posaçëm për Sirinë synon pikërisht ndalimin e përshkallëzimit të kësaj dhune.
Përgjatë ditëve të fundit, Brahimi u ndal në Ankara ku misioni ishte zbutja e tensioneve mes Turqisë dhe Sirisë, ndërsa më pas udhëtoi drejt Teheranit ku besohet t’i ketë kërkuar këtij të fundit të ndikojë për dhënien fund të konfliktit mes opozitarëve dhe qeverisë siriane.
Irani përkrah regjimin e presidentit Basha al-Assad dhe përvec mbështetje diplomatike mendohet se i ka ofruar atij edhe mbështetje logjistike e specialistë ushtarakë në betejën ndaj opozitës së armatosur.
Ndërkohë, në vend numri i viktimave që nga nisja e konfliktit të armatosur, sipas një raporti të OKB-së mendohet se ka tejkaluar 30 mijë. Vetëm ditën e martë, forcat opozitare njoftuan vrasjen e të paktën 70 personave në luftime mes rebelëve dhe ushtrisë, kryesisht në betejën për Alepon, që zgjat prej muajsh.
Qyteti verior sirian shihet si një pikë strategjike nga të dyja palët dhe lufta për kontrollin e tij është më e ashpër se në pjesët e tjera të territorit të Sirisë. Ushtria e Bashar al-Assad ka ndërmarrë disa ofensiva për të rimarrë kontrollin e plotë të qytetit, por ka hasur në rezistencë të fortë të rebelëve, që nga ana e tyre raportojnë kontroll të plotë mbi pikat kufitare strategjike me Turqinë.
Top Channel