Kuba heq lejet për udhëtimet jashtë vendit

16/10/2012 00:00

Qeveria në Kubë ka njoftuar se do të heqë rregullin që parashikon që
qytetarët e saj të marrin leje daljeje para se të udhëtojnë jashtë
vendit.

Media shtetërore deklaroi se lëvizja, që do të hyjë në fuqi 14 janarin e ardhshëm, do të përditësojë ligjet për emigracionin në mënyrë që të reflektojnë situata aktuale dhe ato të ardhshme.

Aktualisht kubanezët duhet të kalojnë një proçes të gjatë dhe të vështirë për të siguruar një leje për të dalë jashtë shtetit, që disidentëve shpesh herë u mohohet.

Kubanezët që janë me qëndrim të përhershëm në ishull do të kenë mundësi për të qëndruar jashtë vendit deri në 24 muaj në vend të 11 muajve që ka qenë më parë, pa dashur të kthehen për të rinovuar dokumentet.

Korrespondentja e BBC në Havana thotë se lejet për të udhëtuar jashtë shtetit përbëjnë një problem të madh për banorët dhe kjo reformë do të mirëpritet në masë të gjerë.

Më parë personat që përpiqeshin të largoheshin nga vendi konsideroheshin nga pushteti si tradhtarë ose armiq të revolucionit, por së fundmi është pranuar se shumica e tyre duan të largohen për arsye ekonomike dhe vendi mund të përfitojë nga remitancat.

Tani të gjithë kubanezëve që do të duan të udhëtojnë do t’u mjaftojë pasaporta dhe një vizë. Lëvizja në fjalë është gjithashtu e fundit e një seri reformash të presidentit Raul Castro.

Gjithësesi, ligji i ri do të mbrojë “kapitalin human” të Kubës dhe për rrjedhojë profesionistë të kualifikuar në fushën e mjekësisë apo mësimdhënies do të kenë ende shumë pengesa për të udhëtuar.

Po ashtu edhe kritikët e qeverisë ka të ngjarë të hasin vështirësi, pasi rinovimi i pasaportave mund të mohohet për motive të interesit publik, të përcaktuar nga autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB