11 Shtatori, të dyshuarit në gjyq

16/10/2012 00:00

Khalid Sheikh Mohammed dhe katër të tjerë të akuzuar për sulmet e 11 shtatorit janë paraqitur në një gjykatë ushtarake amerikane për herë të parë pas 5 muajsh.

Seancat e gjata paragjyqësore në Gjirin e Guantanamos do të fokusohen kryesisht në çështje të fshehta. Khalid Sheikh Mohammed akuzohet si truri i sulmeve, ndërsa të tjerët për mbështetje në organizimin e tyre dhe në koordinimin e pengmarrjeve.

Në maj, një seancë kaotike për këtë çështje zgjati 13 orë. Gjatë kësaj seance, ku u ngrit formalisht akuza ndaj 5 të pandehurve, ata refuzuan t’u përgjigjeshin pyetjeve të gjyqtarëve ose të përdornin sistemin e përkthimit.

Bashkë me Khalid Sheikh Mohammed, të pandehurit Ramzi Binalshibh, Mustafa Ahmad al-Hawsawi, Ali Abd al-Aziz Ali dhe Waleed bin Attash po gjykohen në një gjykatë të posaçme ushtarake të njohur ndryshe si komisioni ushtarak.

Ata akuzohen për komplotim me Al Kaedën, terrorizëm dhe nga një akuzë për vrasje për çdo viktimë të identifikuar të sulmeve të 11 shtatorit. Të pestë ata mund të përballen me dënimin me vdekje nëse dënohen.

Ditën e hënë të pandehurit dëgjuan të qetë dhe iu përgjigjën pyetjeve të gjyqtarit, edhe pse Khalid Sheikh Mohammed tha: “Nuk besoj se ka drejtësi në këtë sallë”.

Ndërsa avokatët mbrojtës argumentuan gjatë seancës se klientët e tyre nuk duhet të detyrohen të ndjekin seancat e ardhshme, për shkak se transporti i tyre nën masa të rrepta sigurie mund t’u kujtojë atyre kohët në burgjet sekret të CIA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB