Lufta kundër korrupsionit nëpër institucione të ndryshme të Kosovës duket se po bëhet akoma me e vështirë. Sipas zyrtarëve të Instituti Demokratik ceshtja e fenomenit të korrupsionit është cekur shumë qarte në studimine e fizibilitetit i publikuar tri ditë më parë nga Komisioni Europian.

Vlerësimi thekson shumë qartë se Kosova ka nevojë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe jo për fjalë dhe deklarata boshe. Merita Mustafa nga Instituti Demokratik vlerëson se shtetin e ri e presin sfida dhe detyra të shumta në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga raporti.
 
“Për ne, ky studim dhe porosia për ta luftuar korrupsionin do të thotë se na presin detyra jo të lehta, të cilat do të jenë shumë të vështira për tu realizuar, për shkak të vet involvimit të politikanëve në afera korruptive. Sipas KDI-së, rezultatet konkrete në këtë drejtim nuk po arrihen, ngase realitetit tregon se ende ka mungesë të vullnetit politik të bartësve të institucioneve, mungesë të pavarësisë së institucioneve kompetente, rekrutim të stafit mbi baza të nepotizmit, si dhe kapacitete të dobëta të institucioneve përgjegjëse për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thotë Merita Mustafa nga Instituti Demokratit i Kosovës.

Sipas saj, për të dëshmuar më tej mungesën e qasjes serioze të qeverisjes aktuale për të adresuar si duhet problemin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, flet edhe paaftësia e saj për të draftuar një Strategji gjithëpërfshirëse dhe efektive kundër korrupsionit, për të cilën gjë edhe KE kërkon draftimin e një strategjie të re. Një rast tjetër, sipas KDI-së, që e konstaton se Qeveria nuk ka vullnet të mjaftueshëm për ta luftuar korrupsionin.
 
“Sot më shumë se kurrë, Kosova ka evidencë të raporteve kredibile, vendore dhe ndërkombëtare në të cilat përshkruhet si një vend me prani të madhe të krimit të organizuar, të korrupsionit, me një ambient shumë të vështirë për të bërë biznes, si një shtet me mungesë të theksuar të sundimit të ligjit dhe me një shkallë të lartë të papunësisë”, deklaron më tej Mustafa.

KDI rekomandon Qeverinë të krijojë një strategji të re dhe plan të ri kundër korrupsionit; të siguroj mjete të mjaftueshme financiare për të bërë reformat e nevojshme në sistemin e drejtësisë, organet e sundimit të ligjit dhe administratën publike, të krijoj dhe forcoj mekanizmat për zbatimin e ligjeve anti-korrupsion, etj.

Top Channel