
Me qindra policë brazilianë, të mbështetur nga makina të armatosura dhe helikopterë të ushtrisë janë duke u përpjekur që të vendosin nën kontroll dy lagje periferike në Rio de Zhaneiro, të njohura për eksponetët e trafikut të drogës që jetojnë në to.
Mbi 1 500 policë dhe forca komando janë duke realizuar operacionin në “favelat” famëkeqe (siç quhen getot në Brazil) të Jakarezhinjos dhe Manguinjos, të ndodhura në veri të kryeqendrës ekonomike të vendit.
Si rrjedhojë e krimit të organizuar dhe aktivitetit të dhunshëm në këto lagje, policia braziliane virtualisht nuk ka pasur kontroll dhe as askses mbi këtë territor prej shumë vitesh tashmë.
Brazili është duke u përpjekur që të përmirësojë situatën e rendit në vend, përpara se të presë Botërorin e vitit 2014 dhe Lojrat Olimpike të dy viteve më vonë.
Sipas televizionit më të madh brazilian, “O Globo”-s, bandat e drogës janë duke u tërhequr dhe ka pasur pak rezistencë ndaj forcave policore, që kanë qenë në gjendje të realizojnë dhjetëra arrestime.
Brazili, një shtet me 195 milionë banorë, është vendi konsumator më i madh në botë i kokainës dhe i dyti më i madh i drogërave sintetike, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Top Channel