Përfaqësuesit e Instituti Demokratik të Kosovës deklaruan të shtunën se
“Studimi i Fizibilitetit”, i publikuar tre ditë më parë nga Komisioni
Evropian, tregon shumë qartë se Kosova ka nevojë për rezultate konkrete
në luftën kundër korrupsionit dhe jo vetëm për fjalë e deklarata boshe.

KDI ka theksuar se studimi i fizibilitetit duhet të lexohet drejt dhe jo për t’u mbyllur sytë qytetarëve duke iu thënë se është ndezur drita e gjelbër për proçeset integruese, raporton “REL”.

“Për ne, ky studim dhe porosia për të luftuar korrupsionin do të thotë se na presin detyra jo të lehta, të cilat do të jenë shumë të vështira për t’u realizuar, për shkak të përfshirjes së politikanëve në afera korruptive”, ka thënë Merita Mustafa nga KDI në një konferencë për shtyp.

Pak ditë më parë, Instituti Demokratik i Kosovës kritikoi partitë politike në pushtet për braktisjen e seancës parlamentare më 3 tetor, veprim të cilin e konsideroi si një rast të papreçedent dhe që rrezikon funksionimin e Kuvendit të Kosovës.

“Realisht ne kemi konstatuar sjellje të tilla nga partia në pushtet. Qeveria e ka bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Ky ishte një preçedent në llojin e vet, sepse nuk di që në vendet demokratike parlamentare të ketë raste ku shumica të ikë nga seanca dhe të rrezikojë funksionimin e institucionit. Dhe kjo është hera e dytë”, deklaruar përfaqësuesi i KDI, Driton Selmanaj.

“Dhe nëse kemi një tendencë të tillë, që shumica nuk arrin që të bindë deputetët e vetë që të votojnë një çështje, atëherë forma e vetme që mbetet është ikja nga seanca, ose bllokimi i funksionimit të Kuvendit. Në këtë situatë nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme”, shtoi Selmanaj.

Ndërsa në lidhje me temen e bisedimeve me Serbinë, analisti i KDI-së, Halil Matoshi tha se, për të hyrë në këtë proçes politik Kuvendi i Kosovës duhet të nxjerrë një rezolutë të re nga ajo që ishte nxjerrë më 10 mars të vitit të kaluar për bisedimet teknike.

“Aktualisht Kosova po shkon drejt bisedimeve politike. KDI vlerëson se Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re, e cila i jep legjitimitet të plotë qeverisë për negociata dhe e detyron atë që t’i bëjë publike të gjitha konkluzionet për marrëveshjet e arritura deri më sot me Republikën e Serbisë, si dhe të sjellë para Kuvendit strategjinë se çfarë do të bisedohet e çfarë jo me Serbinë”, tha Matoshi.

Top Channel