I dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe në Siri, Lakhdar Brahimi mbërriti në Turqi për të zhvilluar bisedime në lidhje me tensionet në rritje midis Ankarasë dhe Damaskut.
Z. Brahimi do të dëgjojë perspektivën e Turqisë për krizën tashmë të ndezur nga Minsitri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu. Vizita e tij vjen vetëm disa ditë pasi pesë civilë turq u vranë në bombardimet nga përtej kufirit sirian.
Turqia i është kundërpërgjigjur sulmeve siriane në territorin e saj me të njëjtën gjuhë. Artileria turke ka bombarduar disa objektiva në thellësi të territorit sirian. Përshkallëzimi i tensioneve mes dy vendeve erdhi pas ndalimit të një avioni pasagjerësh sirian nga ushtria turke që e detyroi atë të ulej në Ankara.
Pas uljes së detyruar, Ministri i jashtëm turk dhe vetë kryeministri Erdogan deklaruan se në avion u gjetën armë dhe pajisje luftarake ruse, që sipas tyre, kishte destinacion forcat e regjimit të presidentit Bashar al-Assad.
Por Siria dhe Turqia ka hedhur poshtë pretendimin dhe e ka quajtur një gënjeshtër, duke sfiduar Turqinë teksa e fton të tregojë faktet.
Në Siri, aktivistët thanë të premten se luftëtarët rebelë kanë konfiskuar një bazë ajrore qeveritare pranë qytetit veri-perëndimor të Aleppo-s. Por pretendimi nuk është verifikuar ende nga burime të pavarura.
Top Channel