Egjipt, presidenti “dorëzohet” për kryeprokurorin

13/10/2012 00:00

Presidenti egjiptian, Mohamed Mursi bëri një hap pas duke u tërhequr nga qendrimi i tij i mëhershëm për të larguar nga detyra e kryeprokurorit, Abdel Maguid Mahmoud.

Vendimi u komunikua nga zëdhënësi i vetë presidentit egjiptian i cili sqaroi se pas bisedimeve mes dy palëve, u ra dakort që Mahmoud kryeprokuror që nga koha kur vendi udhëhiqej nga Mubarak, të vazhdojë detyrën e tij.

Kryeprokurori egjiptian, Abdel Maguid Mahmoud ka shpërfilli urdhërin e presidentit Mohamed Mursi për të lënë detyrën dhe u paraqit sërish në zyrën e tij në Kajro. Nën masa të forta sigurie, kryeprokurori tha para hyrjes në godinën e prokurorisë që udhëheq, se presidenti nuk ka fuqi ligjore ta shkarkojë atë. Ai u zotua se do të vazhdojë që të kryejë detyrën e tij për të mbrojtur institucionet e pavarura të vendit dhe se mund ta lëviznin prej andej vetëm të vdekur

Kryeprokurori akuzohej nga presidenti Mursi dhe mbështetësit e Vëllazërisë Muslimane, koalicioni qeverisës në Egjipt, se mbrojti zyrtarë të ish-regjimit të Mubarakut që akuzohen për vrasje dhe ushtrim dhune ndaj protestuesve gjatë revolucionit popullor.

Gjithcka lidhet me një proces gjyqësor me ngjarjen e ashtuquajtur “beteja e gamileve”, ku kryeprokurori kishte kërkuar lirimin nga akuzat të disa ish-zyrtarëve të lartë të forcave të sigurisë në kohën e Mubarakut. Sipas tij, personat në fjalë kishin zbatuar urdhërat dhe ligjet në fuqi të vendit.

Përgjatë revolucionit, por edhe gjatë gjithë udhëheqjes së Mubarakut, në vend ndodhej në fuqi i ashtuquajturi ligji i luftës që i jepte të drejtë forcave të sigurisë të përdornin dhunë dhe armë ndaj protestuesve civilë.

Ndërkohë, sheshi Tahrir, sheshi simbol i protestave anti-Mubarak është ripopulluar nga protestues, por këtë herë të ndarë në dy kampe, pro dhe kundër kryeprokurorit. BBC raporton përleshje të ashpra mes protestuesve me dhjetra të lënduar dhe thotë se mes tyre mund të ketë edhe viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB