Rruga e Kombit, e promovuar në mënyrë patriotike, pritet t’i shërbejë edhe kombit serb. Autostrada, që pritet të arrijë në kufirin me Serbinë, pritet ta shtojë tregtinë me Kosovën dhe Shqipërinë nga ana e prodhimeve serbe.

Megjithatë, importi i Serbisë me Kosovën dhe Shqipërinë është ende i vogël pasi prodhimet që arrijnë në Serbi nuk janë të shumta. Në dhjetë vitet e fundit, Shqipëria ka qenë një faktor i ri për ekonominë serbe, ndonëse këtë vit ka pësuar një rënie.

Analisti ekonomik Goran Nikoliç thotë se ka një rënie të përgjithshme ekonomike, por këto vende kanë interes dhe një potencial shtimi.

“Rrugët dhe distribucioni ndikojnë pasi ende nuk ka rrugë të mira. Me ndërtimin e plotë të rrugës nga Kosova do të përmirësohet edhe tregtia me Shqipërinë, pasi është afër dhe kjo është rruga e vetme. Me këto forma është tregti e shtrenjtë, përveç nëse do të bëhej fjalë për tregti të gjërave luksoze që ne nuk i kemi”, deklaron Nikoliç.

Në një përgjigje që ka dërguar Dhoma e Tregtisë e Serbisë për Top Channel thuhet se, Shqipëria është mesatarisht e rëndësishme për Serbinë në aspektin ekonomik.

Shqipëria është e 23-ta në radhën e 169 shteteve me të cilat Serbia ka marrëdhënie ekonomike, ndërsa një vit më parë ajo ka qenë në vendin 51-të. Serbia ka një rënie eksportesh në gjashtë muajt e parë prej 39 për qind.

Shkëmbimi ekonomik vjetor është 127.10 milionë dollarë amerikanë. Shqipëria blen nga Serbia në kuotën 20 për qind të këmbimit total, parfume dhe preparate kozmetike 10 për qind, pije 9 për qind, mbetje metalike 9 për qind, prodhime mineralesh jometalike 5 për qind dhe prodhime të tjera 48 për qind.

Kurse nga Shqipëria vendin e parë e zënë frutat dhe perimet me 32 për qind, energjia elektrike 24 për qind të eksportit, ndërkohë që eksportohen edhe orendi, rroba e të tjera.

Shqipëria në Serbi ka eksportuar vitin e kaluar rreth 22.60 milionë dollarë. Ndërsa këtë vit Serbia eksportuar 38.20 milionë dhe Shqipëria 8.10 milionë dollarë. Nikoliç mendon se Shqipëria duhet të fokusohet tek turizmi.

“Shqipëria ka potencial turistik. Ky është një rast i mirë dhe kam dëgjuar nga njerëzit që kanë shkuar që janë shumë të kënaqur, e sidomos kur të ndërtohet autostrada, jo vetëm për njerëzit me xhepa të thellë, por kjo do të ndikojë pasi për 7-8 orë njerëzit do të mund të jenë në bregdet, që është aq sa Mali i Zi”, thekson Nikoliç.

Ndërsa Kosova duket se për shtetin është zemra e Serbisë jo për pak arsye. Është më e rëndësishme për Serbinë, por ka një rënie të madhe këtë vit. Në vitin 2011 tregtia nga Serbia ka arritur në 372,9 milionë USD, por pak më pak se kaq llogaritet të jetë ekonomia e zezë përmes kontrabandës.

Tetë muajt e parë me Kosovën, përkundër protestave e barrikadave, janë arritur 191,0 milionë USD, që është më pak për 21,5 %. Kosova ka eksportuar në Serbi vetëm 7 milionë USD, që është dhjetë herë më shumë se në vitin e kaluar. Ata që merren me tregti, megjithatë, prej kohësh thonë se leku nuk njeh kufi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA